Mbi 80 mijë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, karburante dhe telefonave për Ministrinë e Integrimeve Evropiane e cila udhëhiqet nga Dhurata Hoxha. Pas udhëtimeve jashtë vendit të ministres Hoxha, që arrin shifrën e mbi 45 mijë euro, mbi 30 mijë euro janë shpenzuar për karburante dhe për shpenzimet dhe blerjen e telefonave mobil nga kjo ministri.
Dhurata Hoxha, Ministrja e Integrimeve Evropiane për tre vjet ka shpenzuar një shumë prej 45 mijë e 563 euro për udhëtime jashtë vendit duke përfshirë këtu, mëditjen, akomodimin dhe shpenzimet tjera të udhëtimit. Ndërsa zëvendësi i saj, Lirak Çelaj brenda dy viteve, prej kur e ka marr këtë post për udhëtime jashtë vendit ka shpenzuar 4 mijë e 363 euro.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga Gazeta Insajderi ministrja Hoxha vetëm në vitin 2017 ka shpenzuar 9 mijë e 453 euro për të udhëtuar jashtë vendit. Ndërsa viti 2018 në bazë të këtyre të dhëna ka qenë më i ngarkuar me udhëtime për ministren, brenda kësaj periudhe kohore ajo ka shpenzuar gjithsej 28 mijë e 539 euro.
Kurse për tre muajt e parë të viti 2019, 7 mijë e 571 euro të taksapaguesve kosovarë ministrja Hoxha ka shpenzuar për udhëtime jashtë vendit.
Ndërsa zëvendësi i vetëm i ministres së Integrimeve, Lirak Çelaj për vetëm dy vite ka shpenzuar 4,363 euro për udhëtimet e tij jashtë vendit, duke përfshirë mëditje, akomodim dhe shpenzime tjera.
Në listën e shpenzimeve të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, Çelaj në vitin 2018 ka shpenzuar 1,488 euro për udhëtime jashtë vendit, kurse në tre muajt e parë të vitit 2019 ai ka shpenzuar mbi 2 mijë euro nga taksapaguesit kosovarë për udhëtimet e tij.
Mbi 30 mijë për shpenzimet për telefona e karburante
Por mijëra euro tjera janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për karburante për tërë Ministrinë e Integrimeve Evropiane. Fiks 27 mijë e 911 euro kjo ministri ka shpenzuar për karburante brenda tre vjetëve.
11 mijë e 519 euro janë shpenzuar në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 gjithsej 13 mijë e 25 euro, kurse brenda tre muajve të këtij viti shuma e shpenzimeve për karburant ka arritur shifrën 3,366.85 euro, shkruan Insajderi.
Gati 4 mijë euro kjo ministri ka shpenzuar për telefona mobil. 1,210 euro janë shpenzuar vetëm në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 kosto e shpenzimeve për telefona mobil është fishuar për disa qinshe. 1,680 euro Ministria e Integrimeve ka shpenzuar për blerjen e telefonave.
Ndërsa në vitin që sapo kemi filluar kjo ministri ka shpenzuar 955 euro për blerjen e telefonave.
Kujtojmë se kjo ministri është ministria e vetme që udhëhiqet nga një grua dhe ka numrin më të vogël të zëvendësministrave, me vetëm një zëvendës.
Ministria e Integrimeve Evropiane, e udhëhequr nga Dhurata Hoxha, është njëra prej ministrive me më së paku kredibilitet tek qytetarët.
Ministrja Hoxha ka premtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës rreth dy vjet më parë, por premtimet e saj ende nuk janë përmbushur.