Banka e Anglisë është shprehur se kriptomonedha më e famshme në botë, Bitcoin, mund të bëhet e pavlerë dhe se njerëzit që investojnë në kriptovaluta të tilla duhet të “jenë gati për të humbur gjithçka”.
Në nëntor, çmimi i Bitcoin kishte arritur në 67 mijë dollarë, por më vonë pësoi disa luhatje derisa u stabilizua në nivelin aktual prej javës që shkoi. “Vlera e tyre ndryshon mënyrë të konsiderueshme dhe Bitcoin teorikisht mund të bjerë edhe në zero”, u shpreh zv.guvernatori i Bankës, Sir Jon Cunliffe, për BBC.
Ndërkohë, sipas të dhënave të “Blockchain.com”, një prej faqeve më të njohura që merret me tregtimin e kriptomonedhave, që nga e hëna e kësaj jave, janë zbuluar 90% e sasisë së Bitcoin. Në total, mendohet që do të ketë vetëm 21 milionë kriptomonedha të tilla, dhe më pas procesi i njohur si “mining” do të përfundojë.
Po sipas “Blockchain.com”, sasia totale e Bitcoin do të zbulohet jo më herët sesa viti 2140. Procesi digjital ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara matematike për të nxjerrë Bitcoin. Për të arritur deri të shifra 90%, u deshën 12 vite./A2CNN