Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se sot bashkë me drejtoreshën për Kulturë, Blerta Basholli, kanë shpalosur detajet lidhur me projektin e, siç u shpreh ai, adaptimit të objektit ish-Gërmia për sallë koncertale.
Sipas Ahmetit, konkursi ndërkombëtar për projektimin arkitektonik të kësaj salle koncertale do të hapet javën e ardhshme dhe do të zgjasë 75 ditë.
“Përmes këtij projekti do të ruajmë elementet e trashëgimisë të cilat i ka ky objekt duke e adaptuar në Sallë Koncertale që do të ketë sallën e madhe me 800 ulëse dhe sallën e vogël me 200 ulëse. Juria profesionale e cila do të bëjë përzgjedhjen e projekteve do të ketë anëtarë ndërkombëtarë dhe çmimi i parë do të shpërblehet me 50.000 euro”, shkroi kryetari i Prishtinës në Facebook.
Ahmeti, tutje thotë se salla koncertale do të jetë nikoqire e komunitetit të artistëve vendorë e ndërkombëtare dhe do të pasurojë dhe përmirësojë cilësinë e jetës kulturore të Prishtinës.