Fjalë Kyçe

“Jemi rivalë, jo armiq”, kapitenët e Realit dhe të Atleticos me mesazh para përballjes së sontme

“Jemi rivalë, jo armiq”, kapitenët e Realit dhe të Atleticos me mesazh para përballjes së sontme

Real Madridi dhe Atletico Madridi do të përballen sonte mes vete në një ndeshje që pritet të jetë mjaft “e nxehtë” në fushën e blertë.

Skuadrat madrilene do të luajnë në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve dhe kjo pa dyshim do të jetë ndeshja kryesore e natës së sontme, shkruan “Gazeta Express”.

E për ta qetësuar situatën para këtij derbi të madh dhe për t’i shmangur incidentet eventuale mes tifozëve, Policia Kombëtare e Spanjës e ka publikuar një video përmes së cilës iu bëhet thirrje tifozëve që ta shijojnë këtë ndeshje pa shkaktuar dhunë.

Kapitenët e të dyja ekipeve madrilene janë bërë bashkë për ta bërë këtë mesazh mjaft domethënës.

“Jemi rivalë, jo armiq”, shihet duke thënë kapiteni i Realit, Luka Modric.

“Mos e ngatërroni pasionin me dhunë”, u shpreh kapiteni i Atleticos, Koke.

Kurse, Policia Kombëtare siguron se do ta ruajë rendin dhe qetësinë me të gjitha kapacitetet e nevojshme në mënyrë që të shkojë gjithçka si duhet në aspektin e sigurisë.

“Shfrytëzojeni këtë lojë dhe respektojeni njëri-tjetrin”, është thirrja e Policisë Kombëtare për tifozët.

Ndeshja mes Real Madridit dhe Atletico Madridit do të luhet sonte në stadiumin “Santiago Bernabeu” duke filluar nga ora 21:00.