Kryetari i Partisë Liberal Demokratike, Çedomir Jovanoviq, ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.
Kreu i Partisë Liberal Demokratike, Çedomir Jovanoviq, i cili në vazhdimësi e përkrah pavarësinë e Kosovës, ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë menjëherë, pa kushte, me ose pa anulimin e taksës, transmeton lajmi.net.
“Ne mund të bëjmë përparim vetëm përmes dialogut”, ka thënë Jovanoviq, shkruan “Tanjug.rs”.
Jovanoviq po ashtu ka thënë se ndërprerja e dialogut i ka sjell dëme Serbisë dhe se sipas tij, dialogu me Kosovën duhet të vazhdojnë.
“Ndërprerja e dialogut gjatë vitit të kaluar na solli vetëm pasiguri, taksa të paarsyeshme dhe rritjen e rrymave nacionaliste dhe ekstremiste në të dyja anët”, është shprehur lideri liberal nga Serbia.
Siç shkruan “Tanjug.rs”, transmeton lajmi.net, Jovanoviq po ashtu ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë se e ka humbur Kosovën.
“Kushti i parë për zgjidhjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është të kuptojmë të vërtetën se Kosova është e humbur dhe se nuk mund ta humbim përsëri”, tha Jovanoviq.
Ai po ashtu ka thënë se, çfarëdo marrëveshje që arrihet me Kosovën ajo duhet të ketë mbështetjen e shoqërisë.