Fjalë Kyçe

Ka vdekur shkrimtari Musa Ramadani

Ka vdekur shkrimtari Musa Ramadani

Ka vdekur shkrimtari i njohur Musa Ramdani, shkruan KultPlus. Ai ishte i njohur për stilin e veçante të të shkruarit dhe pas vetës ka lënë një numër të madh të titujve.

Në Gjilan e kreu shkollimin e mesëm (Shkolla e Nxënësve për Ekonomi), ndërsa në Prizren, Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës shqipe. Nga viti 1965 ka qenë gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”. Shkrimet e para i botoi te revista “Jeta e Re” dhe te javorja “Zëri i Rinisë”. Çmimi i parë për poezi dhe ai i dyti për tregim, në konkursin letrar të “Zërit…” më 1968, e motivuan që t’i përkushtohet letërsisë.

Më 1972, Musa Ramadani e dërgoi për botim në “Rilindje” dorëshkrimin e librit “Neurosis XX”, por iu refuzua me arsyen se ishte vepër “pesimiste” dhe “nihiliste”. Libri në fjalë u botua një vit më vonë nga vetë autori, i cili i dha epitetin e shkrimtarit avangardist dhe prijësit të poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës. Që nga viti 1970 ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe tash i PEN Qendrës së Kosovës.

Poezia e Musa Ramadanit është prezantuar në disa antologji shqipe në Kosovë, në Shqipëri, po edhe në gjuhë të ndryshme. Është laureat i çmimit “Hivzi Sylejmani” për librin “Satana ma vodhi gurin e urtisë” më 1987, i çmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Inamor: 55” në vitin 2000, i Çmimit “Beqir Musliu” për vepër karriere më 2006 dhe i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” më 2013.

Gjatë viteve ‘70-të në Festivalin e Akordeve të Kosovës për kompozime të muzikës së lehtë, fitoi dy herë çmimet e para. Në fillim të viteve ‘80-të ishte një nga themeluesit e Teatrit të të Rinjve, të Fëmijëve e të Kukullave në Prishtinë (asokohe: kryetar i Komisionit Amë) dhe nga fundi i viteve ‘90-të e deri më sot me pasion e kultivoi edhe artin e vizatimit.

Shkrimtari Musa Ramadani, me poezinë e tij herë me shenja biografike, herë me finesa filozofike, shënjon një hap më tutje drejt një avancimi të gjuhës poetike. Kjo dëshmohet te veprat e tij poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969),“Thirravaje” (1971),“Neurosis” (1973),“Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990) dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010).

Proza e tij është letërsi e erudicionit të thellë me elemente të theksuara moderne dhe postmoderne. Veprat e tij në prozë janë: “Romani pa Kornizë”, roman (1975), “Fluroma”, tregime (1978), “Zezona”, roman (1978), “Ligatina”, roman (1983), “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, tregime (1987), “Vrapuesja e Prizrenit”, roman (1995), “Antiprocesioni”, roman (1997), “Inamor: 55”, minitregime (2000).

Më 1984 botoi dramën “Moisiu në Unazën e Inflandit”, e cila u inskenua në Tetarin e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Shkrimtari Musa Ramadani, me shkrimet e tij kritike dhe eseistike për teatrin dhe shfaqjet teatrale, ka ndihmuar dhe ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë artistike të dramaturgjisë shqipe në Kosovë. Duke qenë përherë i lidhur me kritikën e teatrit, ai botoi edhe dy libra eseistikë: “Fjala në skenë” (1980) dhe “Premiera shqiptare” (1994). Si përkthyes, në gjuhë shqipe solli autorët: Dino Bucati, Sadek Hedajat, Hajner Myler, Per Lagerkvist, Jashar Kemal, Jezhi Andzhejvevski etj.

Veprimtaria letrare e Musa Ramadanit është vlerësuar nga kritika akademike dhe ajo mediatike. Ajo është shndërruar në objekt studimi e kërkimi për shumë studiues të vjetër e të rinj. Madje, për veprën e tij janë botuar studime monografike.