Policia Kufitare e Kosovës ka arrestuar sot një person, i cili po tentonte të kalojë ilegalisht kufirin nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, derisa kishte me vete edhe dy kilogram drogë të llojit heroinë.
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi bën të ditur se “me datë 25.01.2022 rreth orës 18:45, Policia Kufitare e Kosovës, drejtoria rajonale-Lindje, konkretisht Njësia patrulluese (Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-SPMK) Hani Elezit, gjatë realizimit të detyrave dhe vëzhgimit për menaxhim dhe kontroll efikas kufitar, në rrugën ‘Ekzodi99’ në Han të Elezit në zonën kufitare në mes të Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Kosovës kanë ndaluar një person duke tentuar ta kaloj ilegalisht kufirin nga Republika e Kosovës në Maqedoninë e Veriut”.
“Gjate legjitimimit dhe kontrollit trupor të personit në pallto iu janë gjet edhe katër paketime të mbështjella me rreth dy kilogram substancë të dyshuar narkotike (që sipas të dyshuarit është drogë e llojit heroin)”, njofton Policia, transmeton Telegrafi.
Sipas Policisë, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar dhe njësia e antidrogës në Ferizaj.
“Është iniciuar rasti ‘Blerja, posedim shpërndarja dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Tentim kalimi ilegal i kufirit ose vijës kufitare”.
Substanca e dyshuar është konfiskuar, personi i dyshuar është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.