Menjëherë pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina kryetarët serbë të katër komunave në veri të Kosovës patën marrë vendim që t’i lëshonin pozitat e tyre.
Por as tash kur po bëhen katër muaj prejse është marrë një vendim i tillë vlerësohet se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asnjë hap konkret që do të çonte drejt një zgjidhjeje.
Janë bërë gati katër muaj prejse katër komunat në veri të Kosovës, ajo e Mitrovicës së Veriut, e Leposaviqit, e Zubin Potokut dhe e Zveçanit, kanë mbetur pa zot shtëpie. Ndonëse kryetarët e këtyre komunave kanë dhënë dorëheqje menjëherë pas vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe ende nuk është bërë një zgjidhje lidhur me këtë çështje.
Përkundrazi, muaj më parë Qeveria e Kosovës i pati konsideruar të papranueshme dorëheqjet në fjalë pasi në dokument-dorëheqjet e tyre kryetarët serbë të komunave veriore i ishin referuar Republikës së Kosovës si “Kosova e Metohija”, shkruan Zeri.
Duke u nisur nga këto, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se gjasat janë minimale që lidhur me këtë çështje të arrihet një zgjidhje. Kjo pasi sipas tyre institucionet e vendit nuk po duan e as nuk po kanë guxim që të bëjnë një zgjidhje ligjore në këtë drejtim. Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës thonë se kjo situatë dëshmon më së miri se sa pak kontroll kanë institucionet e vendit në veri të Kosovës.
Ndërkohë, pas dorëheqjes kryetarët e katër komunave veriore patën paralajmëruar se do ta shkëpusnin çdo kontakt me Prishtinën zyrtare.