Një shpërthim i fuqishëm është shënuar në qendër të Parisit mëngjesin e së shtunës.
Lajmi është konfirmuar nga policia, e cila thotë se shpërthimi ndodhi në Rue de Trevise për shkak të rrjedhjes së gazit në një furrë buke.
Siç raportojë mediat vendase të cilat citojnë burime nga policia, një pallat është në flakë dhe deri tani është raportuar për 4 persona të vdekur, mes tyre dy zjarrfikës dhe 32 të plagosur, 8 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Raportohet se shpërthimi ka sjellë edhe dëme të shumta materiale, përfshirë këtu edhe shkatërrimin e disa makinave, shkruan BW.
Policia iu ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin sa më shumë kalimin në këtë zonë, për shkak se ende vijon të jetë i pranishëm rreziku. Si pasojë e kësaj është shkaktuar zjarr dhe panik në zonë. Imazhet pas shpërthimit janë postuar në Twitter.
Në vendngjarje ka shkuar menjëherë edhe ministri i brendshëm i Francës i cili ka shprehur keqardhjen e thellë për ngjarjen. Megjithatë, ai ka shtuar më tej se situata është nën kontroll.
Dëshmitarët në vendngjarje janë shprehur se shpërthimi ishte tejet i fortë dhe menjëherë kishin dëgjuar njerëz duke bërtitur e duke vrapuar nga paniku, njoftojnë mediat e huaja.