Fjalë Kyçe

KDI: Ligji i ri i Punës të rikthehet në agjendën legjislative

KDI: Ligji i ri i Punës të rikthehet në agjendën legjislative

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi sot analizën “Ligji i ri i Punës: në mes të nevojës dhe kërkesave për ndryshim”.

Albesa Humolli nga KDI ka deklaruar se ligji aktual i punës nuk ofron mbrojtje dhe siguri të mjaftueshme për punonjësit, duke i lënë ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit, diskriminimit dhe kushteve të pasigurta të punës.

“Kohëzgjatja dhe mungesa e kufizimeve sa i përket kontratave për kohë të pacaktuar, rregullimi i pushimit të lehonisë, mungesa e pushimit prindëror, mungesa e kufizimeve sa i përket orëve shtesë të punës, mungesa e kufizimeve sa i përket formalizimit të marrëdhënies së punës, çështja e rregullimi të punës me orar jo të plotë, çështja e së drejtës në pushim për punonjësit apo çështjet e tjera si rregullimi i punësimit në kohët moderne si puna hibride, puna nga shtëpia, apo puna për kompani jashtë vendit konsiderohen të jenë disa nga mangësitë e ligjit aktual të cilat asnjëherë nuk kanë arritur të adresohen”, ka thënë Humolli.

Humolli, thekson se mangësitë e një ligjit ‘të stërvjetruar’ të punës po bien në kurrizin e punonjësve në Kosovë, të cilët ende përballen me informalitet në punësim, mungesë të kushteve për punë, mos pagesë të pushimit vjetor apo mjekësor, pagë jo të rregullt apo orar të tej zgjatur pune pa pagesë. Për më tepër edhe institucionet ligj zbatuese megjithë përpjekjet e tyre, nuk po arrijnë të mbikëqyrin zbatimin e ligjit në masë të duhur.

Sipas Humollit, ndryshimi i ligjit aktual ose iniciimi i një ligji të ri të punës është i nevojshëm marrë parasysh aspiratat e vendit për të ju bashkuar tregut evropian të punës, që nënkupton që ligji duhet të përafrohet me kërkesat që dalin nga 17 direktivat e Bashkimit Evropian që përcaktojnë standardet minimale në fushën e rregullimit të marrëdhënies së punës.

KDI kërkon nga qeveria që të reflektojë në këtë drejtim dhe të fillojë dialogun social më të gjitha palët, në mënyrë që ligji i punës të rikthehet në programin legjislativ për këtë vit.