Kryetari i partisë “Fjala”, Gëzim Kelmendi ka thënë se kjo parti ka për qëllim që të ndryshoj mendësinë politike në Kosovë ku politikani do të jetë në shërbim të popullit.
Kelmendi në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se Fjala nëse vjen në pushtet do të përgjysmojë pagat e politikanëve duke filluar nga Presidenti, përcjell Telegrafi.
Ai ka thënë se për politikanët do të largojnë edhe shumë privilegje tjera që sipas tij janë të panevojshme si mbushjet telefonike e drekat pa limit.
Kelmendi thotë se Fjala ka qenë e interesuar për të bashkëpunuar në koalicione parazgjedhore me partitë tjera e sidomos ato opozitare, por sipas tij dyert për ta kanë qenë të mbyllura.
“Përgjigjet e tyre kanë qenë të shkurtra: Nuk duam të bëjmë koalicione dhe do të shkojmë të vetëm në zgjedhje. Kjo u dëshmua pasi shumica e tyre shkuan të vetme në zgjedhje.
Kryetari i partisë “Fjala” ka thënë se kjo parti ka konkurruar në zgjedhje me 51 kandidatë për deputetë pasi për të më e rëndësishme ka qenë cilësia se sasia.
Ai thotë se megjithatë ky numër ka pasur edhe një qëllim simbolik që ka nënkuptuar se përgjysmimi i listës së kandidatëve për deputetë do të nënkuptojë përgjysmimin e ministrive nga 20 në 10.