Nëse arrihet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kosova kërkon njohjen e pavarësisë nga shteti që udhëhiqet nga Vuçiqi dhe gjithashtu anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Sot presidenti i Serbisë, ka treguar se ka pasur presion që të pranojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara në vitin 2013, por thotë se nuk ka mundur ta pranojë një gjë të tillë sepse ishte kërcënuar ‘me shkatërrim të karrierës politike’.
Këto deklarime ai i ka bërë gjatë një vizite në Leskovac, derisa ka prezantuar fushatën e tij për të ‘Ardhmen e Serbisë’, shkruan ‘Novosti’, transmeton Gazeta Express.
Përgjatë kësaj vizite ai ka folur edhe për arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, megjithatë thotë se nuk mund të flitet për një gjë të tillë derisa Kosova vazhdon të mbajë vendimin për taksën.
Gjithashtu thotë se nuk mund të ketë një zgjidhje, derisa Kosova nuk realizon obligimet e marra nga Marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serb.
“Ne u themi shqiptarëve se ne duam paqe dhe kërkojmë kompromis. Por nuk mund të flasim për një kompromis derisa ata vazhdojnë me tarifa anti-civilizuese, dhe në qoftë se nuk përmbushin krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Ata çdo ditë e dëshmojnë se jemi afër marrëveshje, por unë e di se sa larg jemi prej saj. Kjo është loja e tyre, dhe nëse një ditë nuk do të kemi marrëveshje, atëherë nuk mund të fajësohen serbët” , ka thënë ai.