Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Visar Ymeri ka bërë të ditur se në emër të Grupit Parlamentar të kësaj partie kanë dorëzuar kërkesën për interpelancë ndaj pagës minimale në Kosovë.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Ymeri ka shkruar se paga minimale është pragu nën të cilën nuk mund të paguhet askush, shkruan Gazeta Alo.
Postimi i tij i plotë:
INTERPELANCË PËR PAGËN MINIMALE
Sot, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate kam dorëzuar kërkesën për Interpelancë ndaj Kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Objekti i Interpelancës është paga minimale në Republikën e Kosovës.
Paga minimale është pragu nën të cilën nuk mund të paguhet askush. Niveli i saj është ndër treguesit kryesorë për mirëqenien e një vendi. Aty ku paga minimale është e ulët, niveli i shfrytëzimit të punëtorëve është i lartë.
PSD angazhohet për një pagë minimale që i garanton secilit përmbushjen e nevojave bazike për jetë. Niveli aktual prej 130 (për të punësuarit deri në 35 vjeç), respektivisht 170 eurosh (për të tjerët), është larg prej arritjes së këtij synimi.
Ftojmë të gjithë deputetët ta japin kontributin e tyre rreth kësaj çështjeje me rëndësi!/Gazeta Alo/