Fjalë Kyçe

Këshilli i Specializantëve me protestë kërkon nga MSH realizimin e kërkesave

Këshilli i Specializantëve me protestë kërkon nga MSH realizimin e kërkesave

Specializantë dhe përfaqësues të të gjitha klinikave kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë për të shprehur pakënaqësitë për mos realizimin e kërkesave të tyre.

Ata mbanin pankarta me shënime, “Derisa presim të pjekën kushtet na u kalbën dëshirat”, “Specializantët qe një vit në rrugë”, “Qe një vit për një çështje e cila mund të zgjidhet për një ditë”, transmeton Klankosova.tv.

“Kërkesat tona janë që specializantët me subvencione të kenë statusin e specializantit të rregullt, pra të marrin një pagë të dinjitetshme, në fillim të muajit ashtu siç e marrin të gjithë punëtorët shëndetësorë. Për shkak se ky grup i margjinalizuar i specializantëve po diskriminohen dhe nuk po i marrin pagat me kohë, ose po ju vonohen, ose nganjëherë edhe nuk ju dalin fare. Na kërkojmë që çdo kujdestari me të paguhet, pasiqë shumë specializantë punojnë ditëve të festave dhe vikendit dhe nuk paguhen asnjë cent për kujdestarinë që e mbajnë. Dhe në të njëjtën kohë kërkesa ka të bëjë edhe me nëntë specializantë që janë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria që nuk e marrin asnjë cent.” u shpreh përfaqësuesi i Këshillit të Specializantëve.

Tutje, tregoi se kanë kërkuar takim me Ministrin e Shëndetësisë dhe se kanë pritur premtimin e tij që në fillim të janarit të realizohen kërkesat e tyre.

Ai tha se planifikohej që një protestë më e madhe, por për t’i respektuar masat e kundër përhapjes së pandemisë u mblodhën vetëm 50 persona.

“Jemi të detyruar të protestojmë rrugëve për të drejtat dhe kushtet tona elementare të jetesës të cilat nuk po plotësohen tash e një vit. Këto kushte për të cilat po luftojmë që të plotësohen qe një vit, mund të realizohen edhe brenda një periudhe një ditore ose dy ditore, mirëpo të them ashtu po mungon vullneti politik për t’i realizuar kërkesa tona elementare. Në njëfarë forme po tentohet që buxheti i shtetit dhe paraja publike të kursehen në kurriz të specializantëve dhe mjekëve të ri.”

Kurse përfaqësuesja e specializantëve nga Shqipëria, Anila Zyberi, tha se i janë bashkangjitur protestës me shpresën që të ketë zgjidhje edhe për ta.

“Subvencionet nuk do të jenë zgjidhja e vetme, por ne do të ishim të kënaqur edhe me subvencione, derisa të bëhemi të barabartë me kolegët tanë, presim hyrje edhe në paga të rregullta.” u shpreh ajo.

Gjithashtu u paralajmërua vazhdim i protestave, por që ato do të bëhen sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.