Fjalë Kyçe

Këshilltarja e Haradinajt thotë se Vetëvendosje i ka ndryshuar qëndrimet

Këshilltarja e Haradinajt thotë se Vetëvendosje i ka ndryshuar qëndrimet

Meliza Haradinaj-Stublla, këshilltare e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se hartuesi i programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, është i vonshëm në skenën politike kosovare.

Ajo në një postim në ‘Facebook’, ka shkruar se Vetëvendosja s’mundet me i përdorë premtimet e kaluara sepse tanimë kanë ndryshuar qëndrim.

Haradinaj-Stublla gjithshtu ka thënë se Aleanca gjithmonë ka dalur e para me program dhe me prioritete qeverisëse.

“Tash e 6 palë zgjedhje që jam pjesë e Aleancës, gjithmonë kemi dalë të parët me program dhe me prioritete qeverisëse. Jemi të parët që jemi deklaruar parti e qendrës së djathtë, kur partitë tjera ende kishin dilema kah përkisnin.

Në paraqitjet publike, ne shpalosnim program të detajuar politik, e prioritete të qarta qeverisëse, të tjerët dilnin me faqe A4 të shkruar me dorë.

Besnik Bislimi mesiguri se nuk e mbanë mend këtë kohë, sepse është i vonshëm në skenën politike kosovare”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Tutje ajo ka përmendur disa nga qëndrimet e Vetëvendosjes, që sipas saj, nuk mund t’i përdorin në programin e tyre politik në këto zgjedhje.

“E kuptoj frustrimin, sepse këto zgjedhje janë hera e parë që partive politike u duhet të shkruajnë program të ri, e jo t’a adaptojnë atë nga zgjedhjet e kaluara siç kanë bërë rëndom – sepse shumica e punëve të zvarritura me vite janë kryer tanimë nga Ramush Haradinaj për këtë gjysëm mandati.

Madje Vetëvendosja s’mundet me i përdorë premtimet e kaluara sepse tanimë kanë ndryshuar qëndrim. Po ia kujtoj profës disa nga qëndrimet/deklaratat e VV-së që nuk mund t’i përdorin më në programe e paraqitje publike

Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë sepse është shtet i panatyrshëm dhe i imponuar’ (2006),  ‘Pas zgjedhjeve 2010 synojmë Presidencën’ (2010), ‘Nuk e njohim flamurin dhe simbolet shtetërore, por e marrim rrogën nga Republika e Kosovës’ (2011), ‘Jemi kundër hajnisë dhe hajnave PDK/LDK,  dialogu bosnjëzon Kosovën’ (2012),  ‘Kontributi i Thaçit e Rugovës në periudhën e (para) luftës është i pamohueshëm’ (2012), ‘Ndërkombëtarët nuk na duhen, Kosova duhet të jetë sovrane’ (2013), Dorëzimi i mbi 70 kallëzimeve penale kundër grupit të Isa Mustafës në komunë; (2014), Arritja e koalicionit me AAK-në në Prishtinë; (2014), Formimi i VLAN, përkrahja e Ramush Haradinajt për kryeministër; (2014), ‘Shqiptarët nuk e duan Amerikën, por tuten mos Amerika po i braktisë ata’ (2016), ‘Isë Isë – argat i Serbisë’; (2017).

I uroj shumë fat profës Besnik Bislimi në shkruarjen e programit të ri, shpresoj t’i qëndroni besnik qëndrimeve politike këtë herë e mos të keni nevojë të shkruani program të ri në sezonën e ardhshme elektorale. E di se e keni të vështirë këtë akrobacion fantastiko-shkencor të lëvizjes suaj, por megjithatë, ia vlen të provoni”, ka përfunduar Haradinaj-Stublla.