Fjalë Kyçe

Këshilltarja e Osmanit i reagon deputetes Deliu-Kodra: Presidentja i di mirë obligimet dhe përgjegjësitë e saj

Këshilltarja e Osmanit i reagon deputetes Deliu-Kodra: Presidentja i di mirë obligimet dhe përgjegjësitë e saj

Zyra e Presidentes së Kosovës i ka reaguar deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila në seancën e sotme të Kuvendit tha se presidentja po heshtë teksa qytetarët po përballen me kriza.

Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Osmani, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, i është kundërpërgjigjur deputetes, duke thënë se presidentja i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo, njofton Klankosova.tv.

“Presidentja e Republikës së Kosovës i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo”.

Mes tjerash, Miftari thotë se Osmani ka siguruar edhe donacion prej gjysmë milioni vaksina nga SHBA-ja.

“Ashtu si pjesa më e madhe e botës, Republika e Kosovës është përballur me sfida që lidhen me pandeminë, për të cilat është angazhuar personalisht presidentja. Ky angazhim, ndër të tjera, ka rezultuar me sigurimin e donacionit prej mbi 500,000 vaksinave nga SHBA-ja dhe mijëra vaksina të tjera nga partnerë të tjerë. Me këtë temë, nga vaksinimi, e deri te vetëdijesimi, presidentja merret në baza ditore dhe këto bëhen transparente për publikun nëpërmjet komunikatave për medie”, u shpreh ajo.