Fjalë Kyçe

“Këtë vit nuk do të aplikohet për anëtarësim në Interpol”

“Këtë vit nuk do të aplikohet për anëtarësim në Interpol”

Zëvendësministri i Jashtëm në detyrë dhe kandidati për deputetë nga AAK-ja, Anton Berisha, ka thënë se në të kaluarën Kosova është ngutur duke aplikuar për anëtarësim në Interpol.

Berisha ka thënë se paralajmërimi i presidentit çek, Zeman, për tërheqjen e njohjes ndaj Kosovës dhe reagimi i menjëhershëm i qeverisë së atij vendi tregon më së miri si funksionon një shtet demokratik.

Ai tha se qeveria e Çekisë “i tregoi vendin Zemanit” duke i thënë se qëndrimi i tij është personal dhe se përgjegjës për politikën e jashtë është qeveria.

“Raportet tona me shtetin çek janë absolutisht të mira”, tha ai.

Duke folur për anulimin e vizitës së Haradinajt në një samit në Çeki thotë se nuk ka ndonjë lidhje me deklarimet e Zemanit.

Zëvendësministri i Jashtëm në detyrë ka lënë të nënkuptohet se këtë vit Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në Interpol.

“Në të kaluarën ka pasur një ngutje nga ministri Pacolli për të aplikuar për anëtarësim në Interpol. Ne nuk duhet të ngutemi në këtë proces marrë parasysh disa rrethana”. tha ai në RTV Dukagjini

Ai ka thënë se Kosova është në proces zgjedhor dhe nuk ka kapacitete të plota njëjtë siç është edhe Bashkimi Evropian.

“Ne nuk mund të anëtarësohemi në institucione ndërkombëtare pa ndihmën e institucioneve ndërkombëtare”, tha ndër të tjera Anton Berisha.