Në SHBA, zyrtarët federalë të shëndetësisë publikuan sot udhëzime të reja, ku thuhet se amerikanët e vaksinuar plotësisht mund të mblidhen me njerëz të tjerë të vaksinuar në mjedise të brendshme, pa mbajtur maskë ose distancim shoqëror, por duhet të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.
Në rekomandime thuhet gjithashtu se personat e vaksinuar mund të mblidhen në të njëjtën mënyrë brenda një familjeje të vetme me njerëz që konsiderohen me rrezik të ulët për sëmundje të rënda, siç mund të ishte rasti i gjyshërve të vaksinuar që vizitojnë fëmijë dhe nipër të shëndetshëm.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) i shpallën udhëzimet të hënën.
Rekomandimet janë hartuar për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje, pasi aktualisht janë vaksinuar një numër më i madh të rriturish, të cilët pyesin nëse imunizimi u jep atyre liri më të madhe për të vizituar anëtarët e familjes, për të udhëtuar ose për veprimtari të tjera siç bënin para se pandemia të përfshinte botën.
CDC-ja po vazhdon të rekomandojë që njerëzit e vaksinuar plotësisht të mbajnë ende maska të puthitura mirë, të shmangin tubimet e mëdha dhe të distancohen fizikisht nga të tjerët kur janë në publik. CDC gjithashtu këshilloi që njerëzit e vaksinuar të testohen nëse kanë simptoma që mund të lidhen me COVID-19n.
Zyrtarët thonë se një person konsiderohet i vaksinuar plotësisht dy javë pasi ka marrë dozën e fundit të kërkuar të vaksinës.
Sipas CDC-së deri tani, rreth 31 milionë amerikanë, ose vetëm 9% e popullsisë janë vaksinuar plotësisht me një vaksinë të autorizuar nga autoritetet federale.