Fjalë Kyçe

KFOR deklarohet për praninë e shtuar në veri, një ditë para formimit të Ushtrisë së Kosovës

KFOR deklarohet për praninë e shtuar në veri, një ditë para formimit të Ushtrisë së Kosovës

Tashmë kur kanë mbetur më pak se 24 orë kur Kuvendi i Kosovës, pritet të votojë projektligjet për formimin e Ushtrisë, është deklaruar edhe KFOR-i.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo GRASSO ka thënë për Gazetën Alo se pozicioni i NATO-s është i qartë, duke shtuar se NATO e mbështet FSK-në, në mandatin e saj aktual.

Pozicioni i NATO-s është i qartë: NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale dhe një burim stabiliteti rajonal”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se çdo iniciativë që ka të bëjë me mandatin e FSK-së, duhet të konsultohet me aleatët e NATO-s.

“Është e rëndësishme që çdo iniciativë në lidhje me mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s. NATO mbetet e angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, përmes KFOR-it, operacionit tonë më të gjatë”, ka deklaruar GRASSO.

Ndërsa, i pyetur rreth asaj se cila është arsyeja që sot automjete të shumta të KFOR-it, janë parë në veri të Kosovës, ai ka thënë se kjo është stërvitje e KFOR-it dhe se nuk ka të bëjë asgjë me ngjarjet politike që pritet të ndodhin nesër.

“KFOR po kryen një stërvitje për t’u trajnuar që të jetë i gatshëm në vendosjen e shpejtë në të gjithë Kosovën në pajtim me Rezolutën 1244. E njëjta veprimtari është bërë dje në Ferizaj në Prizren, por me sa duket këtë nuk e ka vënë re askush. Nuk ka arsye për t’u shqetësuar, KFOR-i e bënë atë rregullisht  që të jetë gati për të përmbushur mandatin e tij. Nuk lidhet me ngjarjet politike që pritet të ndodhin nesër”, ka pohuar ai, për Gazetën Alo.

Kurse, cili do të jetë mandati i KFOR-it pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, GRASSO ka thënë se nëse duhet të evoluojë mandati i FSK-së, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë.

“Politika e NATO-s është e qëndrueshme dhe kjo është thelbi i qëndrimit tonë: nëse duhet të evoluojë mandati i FSK-së, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndryshe, seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohen projektligjet për ushtri do të mbahet nesër duke filluar nga ora 10:00./Gazeta Alo/