Fjalë Kyçe

Kina vendos miliona kamera vëzhguese pranë dyerve të shtëpive private

Kina vendos miliona kamera vëzhguese pranë dyerve të shtëpive private

Mëngjesin pasi Ian Lahiffe u kthye në Pekin, ai gjeti një kamerë përgjuese që ishte montuar në murin e jashtëm pranë derës së apartamentit të tij. Lentet e saj po drejtoheshin drejt tij në momentin kur ai u afrua.

Pas një udhëtimi në Kinën jugore, 34-vjeçari irlandez dhe familja e tij u detyruan të futen në karantinë dy-javore në shtëpi, një masë e detyrueshme e zbatuar nga qeveria e Pekinit për të ndaluar përhapjen e re të koronavirusit në vend.

Ai tha se kur hapi derën kamera tashmë ishte instaluar, pa asnjë paralajmërim.

“Ky është një erozion i jashtëzakonshëm i intimitetit,” tha Lahiffe. “Duket thjesht një vjedhje e madhe e të dhënave tua personale. Dhe nuk e di se sa është në të vërtetë e ligjshme.”

Edhe pse nuk ka ndonjë njoftim zyrtar që thotë se kamerat duhet të fiksohen jashtë shtëpive të njerëzve nën karantinë, kjo ka ndodhur në disa qytete në të gjithë Kinën duke filluar nga muaji shkurt.

Kina aktualisht nuk ka ndonjë ligj të veçantë kombëtar për të rregulluar përdorimin e kamerave të mbikqyrjes, por pajisjet janë tashmë një pjesë e rregullt e jetës publike: ato shpesh janë atje duke vëzhguar njerëzit derisa kalojnë rrugën, kur hyjnë në një qendër tregtare, darkojnë në një restorant, kur hipin në autobus apo kur janë duke ndjekur mësimin në një klasë shkolle.

Më shumë se 20 milionë kamera ishin instaluar në të gjithë Kinën që nga viti 2017, njofton transmetuesi shtetëror televiziv CCTV. Por burime të tjera sugjerojnë një numër shumë më të lartë. Sipas një raporti nga IHS Markit Technology, tani pjesë e Informa Tech, Kina kishte instaluar 349 milionë kamera vëzhguese që nga viti 2018, gati pesë herë më shumë se numri i kamerave në Shtetet e Bashkuara.

Kina gjithashtu ka tetë nga 10 qytetet më të vëzhguara në botë bazuar në numrin e kamerave për 1.000 banorë, njofton firma e kërkimit të teknologjisë Comparitech me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Por tani pandemia ka sjellë kamerat e mbikqyrjes më afër jetës private të njerëzve: nga hapësirat publike në qytet drejt dyerve në hymje të shtëpive të tyre – dhe në disa raste të rralla, kamerat e vëzhgimit edhe brenda apartamenteve të tyre.

CNN ka kërkuar komente nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë, por Ministria e Sigurisë Publike nuk pranoi të komentontee kërkesat e faksuara nga CNN.

Evolucioni i taktikës

Kina tashmë është duke përdorur një sistem digjital “kodi shëndetësor” për të kontrolluar lëvizjet e njerëzve dhe të vendosë se kush duhet të futet në karantinë. Për të zbatuar karantinën në shtëpi, autoritetet lokale përsëri i janë drejtuar teknologjisë – dhe kanë qenë të hapur në lidhje me përdorimin e kamerave të mbikqyrjes.

Një zyrë e një distrikti të qeverisë lokale në Nanjing, në provincën lindore në Jiangsu, tha se kishte instaluar kamera jashtë dyerve të personave në vetë-karantinë për t’i monitoruar ato 24 orë në ditë – një veprim që “ndihmoi në kursimin e shpenzimeve të personelit dhe rritjen e efikasitetit në punë, “. Kështu thuhet në një postim të 16 shkurtit në Weibo, platforma në internet si Kina.

Në provincën Hebei, qeveria e qarkut Wuchongan në qytetin e Qianan gjithashtu tha se ishte duke përdorur kamera mbikëqyrëse për të monitoruar banorët e karantinuar në shtëpi, sipas një deklarate në faqen e saj të internetit. Në qytetin Changchun në krahinën verilindore të Jilin, kamerat e karantinës në rrethin Chaoyang kanë mundësuar përmes inteligjencës artificiale për të zbuluar personat e prekur me sëmundjen, njoftoi qeveria e rrethit në faqen e saj të internetit.

Akoma më keq në qytetin lindor të Hangzhou, China Unicom, një operator i telekomit në pronësi të shtetit, ndihmoi qeveritë lokale të instalojnë 238 kamera për të monitoruar banorët e karantinuar në shtëpi që nga 8 shkurt, tha ndërmarrja në një postim të Weibo.

Në Weibo, disa njerëz postuan foto të kamerave për të cilat thanë se ishin vënë rishtas jashtë dyerve të shtëpive të tyre, pasi u futën në karantinë në shtëpit e tyre në Pekin, Shenzhen, Nanjing dhe Changzhou e qytete të tjera.

Disa duket se e pranojnë këtë formë vëzhgimi, megjithëse mbetet e paqartë se sa kritika mund të tolerohen në internet që po ashtu monitorohet dhe censurohet nga vetë shteti. Një përdorues i Weibo, i cili hyri në karantinë në shtëpi pasi u kthye në Pekin nga provinca Hubei, tha që atë e njoftoi paraprakisht komiteti i lagjes se një kamerë dhe alarmi do të instaloheshin në derën e saj të përparme. “E respektoj dhe e kuptoj plotësisht marrëveshjen,” shkroi ajo.

Një tjetër banor i Pekinit tha se nuk mendon se kamera ishte e nevojshme “por meqenëse është një kërkesë standarde, (jam) i lumtur që e pranoj”, shkruajti një person që e identifikoi veten si Tian Zengjun, avokat në Pekin.

Të tjerë, të shqetësuar për përhapjen e virusit në komunitetet e tyre, u bënë thirrje autoriteteve lokale të instalojnë kamera vëzhgimi për të siguruar që njerëzit i binden rregullave të karantinës.

Jason Lau, një ekspert i intimitetit dhe profesor në Universitetin Baptist të Hong Kongut, tha që njerëzit në të gjithë Kinën ishin mësuar me këtë formë të vëzhgimit të jetëve të tyre shumë kohë përpara koronavirusit.

“Në Kinë, njerëzit ndoshta tashmë supozojnë se qeveria ashtu-kështu ka qasje në shumë të dhëna të tyre. Nëse ata mendojnë se masat do t’i mbajnë të sigurt rreth virusit, ta mbajnë komunitetin të sigurt dhe se janë në interesin më të mirë të publikut, ata mund të mos shqetësohen pastaj shumë për privatësinë e tyre, “tha ai.