“Me këtë vendim [qëndrimin mbi taksën], liderët e Kosovës pothuajse e kanë krijuar një armik nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. I kanë sjellë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin më të ulët që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, James Hooper, ish diplomat amerikan.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, Washingtoni është duke bërë trysni mbi Kosovën që të heqë taksën mbi prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës. Por, qeveria e Kosovës nuk po zmbrapset, duke thënë se vendimi është në të mirë të Kosovës dhe taksa mund të hiqet vetëm atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet. Si e shihni këtë qëndrim ‘kryeneç’, nëse mund ta quaj kështu, të qeverisë së Kosovës?
James Hooper: Të them të drejtën, e gjithë kjo më ka befasuar. Unë jam mësuar të bashkëpunoj me liderë të Kosovës, të cilët mendojnë në rrafshin strategjik dhe të cilët kanë ndjesi të shquar për komunitetin ndërkombëtar, të cilët dijnë se cili është hapi i mençur ndërkombëtarisht. Kurse kjo që ka ndodhur, mua më duket si hapi më kontraproduktiv i liderëve të Kosovës, për aq sa mbaj mend.
Me këtë vendim, ata pothuajse e kanë krijuar një armik nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. I kanë sjellë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin më të ulët që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Është e jashtëzakonshme, Kosova ishte në pozitën e fuqizimit ndërkohë që procesi i bisedimeve po vazhdonte me Beogradin dhe tani e kanë hedhur tutje atë pozicion të fuqishëm, kanë krijuar një kundërshtim me Shtetet e Bashkuara, i cili nuk ka pasur fare nevojë të ekzistojë.
Tani kanë krijuar një spektakël publik, në të cilin Pentagoni, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë, janë bashkuar në një mënyrë të cilën unë asnjëherë nuk e kam parë në historinë e diplomacisë amerikane, për t’ua tërhequr vërejtjen kosovarëve se duhet ta pezullojnë taksën.
Thënë sinqerisht, për mua kjo është shenjë e një forme të ngushtë dhe provinciale e të menduarit, dhe kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën, shumë e rrezikshme. Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të futet në kënaqësinë e të menduarit në formë nacionaliste.
Nëse kosovarët mendojnë se kështu duhet ecur përpara dhe nëse kjo është zgjedhja e tyre, atëherë ashtu qoftë, por qeveria amerikane është duke u thënë që nëse ecni në këtë rrugë, do ta humbni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Dhe ky bashkëpunim, është një vlerë strategjike, të cilën Kosova nuk guxon ta humbë.
Zoti Hooper, qeveria e Kosovës thotë se taksa është vendosur si përgjigje ndaj asaj që ajo e ka quajtur fushatë të vazhdueshme të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës. A nuk e arsyeton një gjë e tillë vendimin?
James Hooper: Jo, nuk e arsyeton. Ndoshta në baza ekonomike dhe nacionaliste, mund ta shoh arsyen pse po bëhet kjo, por në baza diplomatike dhe të politikës ndërkombëtare, një gjë e tillë nuk ka fare kuptim. Kosova mund ta fitojë këtë argument në aspektin ekonomik, por gjithsesi e humb argumentin në rrafshin strategjik. Kosova aktualisht po i vë në rrezik interesat strategjike për të ndjekur lojëra taktike. Nga përvoja ime me liderët kosovarë në të kaluarën, ata kanë qenë lojtarë strategjikë, edhe me kusht që me raste mund të humbisnin ndonjë qëllim taktik. Kështu funksionon diplomacia dhe politika ndërkombëtare.
Kam përshtypjen se presidenti Thaçi e kupton këtë, dhe dëshiron ta çojë procesin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Beogradin përpara. Dhe këto zhvillime të fundit nuk do t’i ndihmojnë bisedimet.
Por, kryeministri i Kosovës ka thënë se është i përkushtuar për vazhdimin e dialogut, dhe se taksa nuk duhet ndërlidhur me dialogun. Sipas tij, vendimi për taksën është vendim sovran i shtetit të Kosovës…
James Hooper: Saktë, dhe Kosova mund të marrë vendime të tilla, por ky vendim sovran i qeverisë së Kosovës, është duke vënë në rrezik interesat strategjike të Kosovës. Kryeministri mund të veprojë si të ketë dëshirë, nuk kam dëshirë t’i karakterizoj gjërat në nivel personal, sepse kam respekt për kryeministrin Haradinaj, por Shtetet e Bashkuara ia kanë thënë në mënyrën më të jashtëzakonshme publike: E ke gabim!
Kosova mund të ecë në rrugën që ka zgjedhur, është shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa amerikanët janë duke thënë se po vihet në rrezik marrëdhënia me Washingtonin nëse ecni edhe më tej në rrugën që keni zgjedhur.
Të flasim pak më konkretisht për interesat strategjikë. Thatë më herët se Kosova pothuajse ka krijuar, dhe po e nënvizoj pothuajse, armik nga qeveria amerikane. Në kuptimin praktik, çka domethënë kjo?
James Hooper: Në kuptimin praktik, Kosova tani po shihet — në vend të një shteti me liderë të matur, me mendje të kthjellët dhe të arsyeshëm e praktikë – si një vend me liderë kokë-nxehtë, të cilët ndjekin agjenda nacionaliste dhe kjo bie në kontrast me Beogradin, i cili tani po tregohet më racional. Dhe ky është një ndryshim shumë i madh.
Serbia është parë gjithmonë si vend problematik, i cili nuk e ka tejkaluar ende epokën e Millosheviqit, por kjo tani po ndryshon gradualisht. Disi më duket sikur Kosova ka humbur kontaktin me Shtetet e Bashkuara dhe ka lejuar që ky ndryshim të ndodhë. Kjo fryma nacionaliste në të cilën është përfshirë Kosova është duke e dëmtuar shumë, shumë rëndë në Washington.
Ta hedhim pak diskutimin në anën tjetër, pse Shtetet e Bashkuara, por edhe Bashkimi Evropian, insistojnë aq shumë në heqjen e taksës?
James Hooper: Sepse për të ecur përpara, përgjatë një rrugëtimi gjithsesi të vështirë, dhe me pengesa, duhet një ‘ngasës i mirë’. Gjasët për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, sipas mendimit tim, janë shumë të mira, për t’i zgjidhur çështjet me Serbinë.
Dhe e kuptoj çfarë ka dashur të arrijë kryeministri Haradinaj me vendimin për taksë – të ketë një pozicion me ndikim në dialog, por nuk funksionon kështu. Me të në fakt po rrezikohet marrëveshja, ndonëse unë mendoj se ajo ende ka mundësi të shpëtohet, por do të kërkojë pezullimin e taksës,
Dhe nëse kjo marrëveshje përfshin ndryshim kufijsh?
Jame Hooper: Nuk do të doja të komentoj, apo spekuloj, mbi komponentet e marrëveshjes, e në to përfshihet edhe fakti nëse Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, nëse Kosovës i hapen dyert e BE-së, dhe nëse Kosova ka rrugën e hapur për në NATO. Një marrëveshje gjithëpërshirëse mund ta stabilizojë marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke e marrë parasyshë gjendjen në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2016, është shumë e rrezikshme për Kosovën që të lejojë një fqinj armiqësor në kufirin verior të vazhdojë armiqësitë. Është në të mirë të Kosovës që ta zbusë dhe t’i jap fund asaj armiqësie, dhe kjo mund të bëhet përmes marrëveshjes. Marrëveshja nënkupton kompromis në të dyja anët, kjo është rruga përpara, ecni drejt një rezultati strategjik.