Fjalë Kyçe

Kjo është thirrja e ambasadorit gjerman për Kosovën

Kjo është thirrja e ambasadorit gjerman për Kosovën

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb, ka thënë se shteti i tij e mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për mediet serbe, ambasadori Thomas Schieb, ka thënë se pret që formati i dialogut të mos ndryshoj dhe i ka bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë taksën.

Schieb në këtë intervistë po ashtu ka thënë se rezultati i dialogut duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e pranueshme dhe e zbatueshme për të dyja palët.

“Marrëveshja duhet të bazohet në parimet e multietnicitetit, për të siguruar të drejtat e pakicave dhe standardet demokratike dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal”, ka thënë ambasadori Schieb.

Ambasadori përshëndeti progresin e bërë deri më tani në dialog, si liria e lëvizjes, njohja e ndërsjellë e diplomave, si dhe progresi në fushën e telekomunikacionit dhe drejtësisë, i cili, siç tha ai, ka përmirësuar standardin e jetesës së serbëve dhe shqiptarëve .

Ai shtoi se Serbia dhe Kosova, për të arritur zgjidhje të tilla, duhet të ulen dhe të negociojnë.

“Ne shpresojmë që dialogu do të vazhdojë, kështu që ne i inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të shfuqizojnë taksën e cila shkel marrëveshjen e CEFTA-s dhe ne inkurajojmë të dyja palët që të përmbahen nga puna që mund të minojnë dialogun”, citohet të ketë thënë Schieb.

Schieb gjithashtu deklaroi se qeveria gjermane është e vendosur për integrimin evropian të Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor, por theksoi se procesi i pranimit varet nga reformat dhe se disa kushte duhet të përmbushen.

“Këto kushte janë të njohura: reformat në fushën e sundimit të ligjit janë një prioritet i qartë, po flasim për reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, kushtet më të mira për punën e gazetarëve dhe ligjet e mira që mbrojnë qytetarët. Sa më shumë që këto reforma të zbatohen, aq më shumë kapituj do të hapen”, tha Schieb.

Ai kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një kusht tjetër për pranimin e Serbisë në BE.