Fjalë Kyçe

Klinaku: Ky është rreziku që e pret Kosovën, nëse nuk arrin marrëveshje me Serbinë

Klinaku: Ky është rreziku që e pret Kosovën, nëse nuk arrin marrëveshje me Serbinë

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, thotë se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentin për të arritur marrëveshjen historike me Serbinë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se nëse Kosova nuk arrin këtë marrëveshje, ekziston rreziku që SHBA-ja t’i gjejë rrugë Serbisë për t’u futur në Bashkimin Evropian.

E nëse kjo ndodh, sipas tij Serbia do të mbetet e painteresuar që të arrijë marrëveshje me Kosovën.

Ai shkon më tej ku thotë se futja e Serbisë në BE pa marrëveshje me Kosovën do ta ndikonte që veriu i vendit të serbizohet dhe Lugina të zbrazet nga shqiptarët.

Postimi i plotë i Klinakut:

Çfarë rreziku e pret Kosovën nëse nuk e shfrytëzon momentin historik

Është e padyshimtë se SHBA-të kanë pasur e kanë një rol vendimtar në raportet Kosovë-Serbi.

Deri në vitin e kaluar (për dy dekada të plota) SHBA-të kanë ndjekur strategjinë e detyrimit të Serbisë për ta njohur Kosovën në kufijtë aktual, në mënyrë që Serbia të mund të inkuadrohet në BE e në NATO dhe të shkëputet nga ndikimi i Lindjes, përkatësisht Rusisë. Në këto dy dekada i janë bërë shumë lëshime Serbisë në kurriz të Kosovës (pa e dëmtuar krejtësisht pavarësinë, por në kurriz të sovranitetit dhe funksionalitetit), por që kanë rezultuar pa një sukses në drejtimin strategjik amerikan – njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Çdo lëshim (edhe pse ne na kanë kushtuar shumë) nuk ka bindur Serbinë dhe nuk ka dhënë rezultat!

Tani SHBA-të, në funksion të strategjisë së tyre e kanë ndërruar taktikën. Edhe ndryshimin e kufijve e shohin si mundësi të zgjidhjes përfundimtare të problemit shqiptaro-serb, përkatësisht Kosovë-Serbi.

Ky është një moment “unik historik”, siç thotë në Letrën e tij Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Nëse Kosova e lëshon këtë rast për një marrëveshje historike, kur edhe SHBA e edhe BE e Serbi kanë nevojë, rreziku është shumë i madh që SHBA-të, në përputhje me strategjinë e tyre të bëjnë hapa tjerë taktikë dhe Serbisë t’ia gjejnë “një derë” tjetër për në BE. Kështu Serbinë e bëjnë të pa interesuar për çfarëdo marrëveshje të re me shqiptarët e me Kosovën.

Në këtë mundësi (shumë të mundshme) të zhvillimit të situatës, Kosova do t’i kishte këto pasoja të rënda:

– Do të mbetej e bllokuar e jofunksionale me privilegjet e serbëve;
– Duke qenë serbët të manipuluar (e nuk pritet që të lirohen shpejt) Kosova do të varej shumë nga Serbia;
– Veriu i Kosovës do të vazhdonte të serbizohej;
– Kosova Lindore (Lugina) do të vazhdonte të zbrazej nga shqiptarët;
– Mundësia e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit do të ishte shumë e vogël për shkak të nacionalizmit e populizmit, që do të ushqehej vazhdimisht nga moszgjidhja e çështjes ndëretnike.

Ka momente historike në zhvillimet historike që edhe nëse ikin ato (pas dekadave) mund të kthehen, por ky rasti ynë, në zhvillimet aktuale nuk kthehet më (nuk është rasti për këtë analizë)!