Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që të shkarkohet ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, për, siç thotë KMDLNJ-ja, fyerje dhe gjuhë seksiste.
“Shprehjet e z. Pacolli para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme si:
“Serbia ka angazhuar 10 vajza të bukura, të veshura mirë të cilat kanë shkuar në tavolinë duke i përqafuar (zezakë!!!) dhe duke ua lënë një zarf në tavolinë…”. Ky deklarimi z. Pacolli para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut duke fyer në baza ekskluzivisht raciste (zezakë!!!) përfaqësues të shteteve, anëtarë të INTERPOL-it, me të drejtë vote”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Në reagim theksohet edhe referimi i Pacollit, jo si anëtarë të delegacionit apo përfaqësues të shteteve por thjeshtë si (zezakë!!!) e bënë të padenjë për të ushtruar detyrën e ministrit për Punë të Jashtme të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësim në çfarëdo cilësie në emër të Kosovës.
“Kualifikimi racist që ua bënë z. Pacolli përfaqësuesve të shteteve e renditë Kosovën padrejtësisht në vendet që nuk manifestojnë tolerancë ndaj atyre që dallohen nga ngjyra, që i përkasin racës tjetër apo besimit fetar , gjithashtu tjetër. Vënia në lojë e 10 femrave të bukura dhe të veshura mirë është fyerje për femrat për faktin se ato i kualifikon si të pamoralshme”, theksohet në reagim.
KMDLNJ kërkon nga Qeveria e Kosovës ta thërrasë urgjentisht në përgjegjësi Pacollin, ta shkarkojë atë për fjalorin denigrues, fyes, racist dhe seksist me të cilin bënë përpjekje ta arsyetojë mospunën, mungesën e kompetencës, mungesën e përgjegjësisë, si në planin lobues, ashtu dhe në atë përfaqësues duke e dëmtuar shumë imazhin e Kosovës sikur edhe duke pamundësuar njohjet e reja për Kosovën apo duke inkurajuar shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta tërheqin këtë njohje.