Komisioni Hetimor Parlamentar ka vendosur që të ftojë në raportim menaxhmentin aktual dhe kryetarin e Bordit të Telekomit për të pasqyruar gjendjen në Telekom.
Kryesuesi i këtij Komisioni Visar Ymeri theksoi se menaxhmenti duhet të raportojë këtë javë për gjendjen në Telekom, por jo si dëshmitar.
Ymeri tha se nga java e ardhshme fillohet me intervistimin e dëshmitarëve të cilët janë të kategorizuar lidhur me hetimin për Valën dhe PTK-në.
Anëtarët e Komisionit vlerësuan se në listë të futen dëshmitarët edhe përfaqësuesit politikë dhe menaxhmenti, që mund të jenë ish-kryeministra, ish-ministra gjatë periudhës së skandaleve që kanë ndodhur në këtë kompani. Deputeti Armend Zemaj, ka thënë se problemi në kompanitë publike ka filluar që nga shpallja e Pavarësisë, kur ka filluar bartja e përgjegjësive tek vendorët, raporton KP.
“Problemi kyç është politik në degradimin e kompanisë më profitabile në vend. Sepse është mundësuar ndërlidhja e kontratave të dyshimta dhe mbipunësimi”, ka thënë ai.
Kryesuesi, Ymeri theksoi se kontrata me Z-Mobile shpërfaq logjikën për gjithë kontratat e këqija dhe të dëmshme në PTK. Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar nga menaxhmenti i Telekomit që mos të ripërtërihet kontrata me Z-Mobile, meqenëse është edhe kërkesë e punëtorëve dhe sindikatës së kësaj kompanie.