Fjalë Kyçe

Kompanitë e naftës i kurdisën çmimet, tash duhet të punojnë për të paguar gjobën e shtetit

Kompanitë e naftës i kurdisën çmimet, tash duhet të punojnë për të paguar gjobën e shtetit

1 milionë euro është dënimi që ka marrë kompania e derivateve “HIB Petrol” nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, pasi u vërtetua që ajo së bashku me 13 kompani të tjera kishin kurdisur çmimet e naftës në nëntor dhe dhjetor të 2018-s.

Për të gjitha këto, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka vendosur masë ndëshkuese prej 4 milionë e 40 mijë e 450 eurosh. AAK-ja thotë se atë kohë çmimi i derivateve në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjtë me gjithë uljen në berëzën ndërkombëtare, raporton KOHA.

Derisa i ka treguar të gjitha vlerat e gjobave për 14 kompanitë e derivateve, Prestreshi tha se Autoriteti i Konkurrencës ka urdhëruar ndërmarrjet në procedurë që ta ndalojnë çdo veprim të mëtutjeshëm, i cili ka të bëjë me përcaktimin e çmimeve.

Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, ka mohuar se ka pasur marrëveshje për çmimin e naftës në mes të operatorëve të këtij sektori, duke e cilësuar vendimin për gjoba arbitrar.

Kompania “HIB Petrol” tashmë ka paralajmëruar padi për vendimin e Autoritetit. Avokati i saj, Arianit Koci, ka thënë se vendimi u mor në mungesë serioze të provave dhe nuk është vërtetuar asnjë pretendim i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Koci ka thënë vendimi ka shkaktuar edhe dëmtimin e reputacionit të kompanive që janë kontribuuesit më të mëdhenjtë në buxhetin e Kosovës, si dhe mesazhin tejet negativ që e përçojmë tek investitorët e huaj në këtë kohë pandemie.

Prestreshi tha se ankesa në kuadër të Autoritetit Rregullativ nuk lejohen, por që pala e ndëshkuar ka të drejtë me padi të iniciojë konflikt administrativ brenda 30 ditëve. Sipas tij, në bashkëpunim me palët ka mundësi që kompanitë ta paguajnë me këste gjobën e shqiptuar.