Spanja ka raportuar vdekjen e parë të lidhur me linë e majmunit në atë që është viktima e parë e njohur në Evropë dhe e dyta jashtë Afrikës në shpërthimin aktual.
Ministria e Shëndetësisë e vendit konfirmoi vdekjen sot, por nuk dha menjëherë detaje të mëtejshme për personin, transmeton Telegrafi.
Brazili raportoi vdekjen e parë të lidhur me linë e majmunit jashtë kontinentit afrikan në shpërthimin aktual, më herët të premten.
Në raportin e saj të fundit, ministria spanjolle e Shëndetësisë tha se 4,298 raste ishin konfirmuar në vend.
Nga 3,750 pacientët për të cilët kishte informacion, thuhet se 120 janë shtruar në spital – që përbën 3.2 për qind – dhe një ka vdekur, pa dhënë detaje të mëtejshme.