Fjalë Kyçe

Konfiskohen afro 7 mijë euro të falsifikuara në 24 orët e fundit në Kosovë

Konfiskohen afro 7 mijë euro të falsifikuara në 24 orët e fundit në Kosovë

Javëve të fundit është raportuar për shtim masiv i parave false në tregun e Kosovës. Dy raste të falsifikimit të parave janë raportuar vetëm në raportin 24 orësh të Policisë.

Sasia e parave të falsifikuara që janë konfiskuar në 24 orët e fundit arrin shifrën gati 7 mijë euro.

Ato janë konfiskuar pas raportimit në dy raste të ndryshme, njëri në Graçanicë e tjetri në Fushë-Kosovë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se 6590 euro është raportuar se janë deponuar në një bankë në Preoc të Graçanicës.

“Preoc, Graqanicë 27.12.2023-09:20. Dy ankuese femra kosovare-zyrtare të bankës, kanë raportuar se kohët e fundit, nga klient të ndryshëm janë deponuar monedha metalike të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, gjithsejtë 3295 x 2€ në vlerë 6590 €, të cilat janë konfiskuar për ekzaminime të mëtutjeshme. Është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkohë që në Fushë-Kosovë, gjithashtu në një bankë, janë deponuar 364 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

“Te-Rrethi, Fushë-Kosovë, 11.12.2023. Me 27.12.2023 ankuesja femër kosovare, zyrtare e bankës, ka raportuar se klient të ndryshëm nga data e cekur kanë deponuar 364 € monedha të ndryshme metalike, shumica prej tyre në vlerë 2 €, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Monedhat janë sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme, është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e Policisë.

Kujtojmë se ditë më parë nga Prokuroria Speciale është identifikuar grupi që fuste 2 eurot false në Kosovë, ku 6 persona janë kapur në flagrancë.

Tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.

Nga ky operacion ishin sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se ishin të falsifikuara.