Kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se ka bërë homazhe në Nakaradë të Fushë Kosovës.
Ai përmes një postimi në Facebook tha se gjithmonë do ta kujtohet sakrifica e atdhedashurisë, siç shkroi ai, falë të cilës e gëzojmë lirinë dhe shtetin tonë.
“Të vrarët ishin kudo nëpër Kosovë, të gjithë nën tre emërues të përbashkët: ata ishin shqiptarë, të gjithë të pafajshëm, të gjithë të paarmatosur.Ishin shumë familje që mbetën pa më të dashurit e tyre. Ndër ta edhe familja Mirena në Nakaradë të Fushë Kosovës, ku forcat kriminale serbe ekzekutuan 16 anëtarë të tyre”.
“Sot bëra homazhe për ta nderuar veprën e tyre të sakrificës sublime, për jetët e dhëna në emër të idealit të lirisë. Gjithmonë do ta kujtojmë sakrificën e atdhedashurisë falë të cilës e gëzojmë lirinë dhe shtetin tonë, me vendosmërinë e pakompromis për vendosjen e drejtësisë së plotë që ende mungon”.
“Lavdi martirëve të familjes Mirena në Nakaradë të Fushë Kosovës dhe gjakut të të gjithë të rënëve që rrjedh në venat e lirisë sonë dhe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.