Fjalë Kyçe

Konjufca: Sa më afër që janë Kosova e Shqipëria, aq më lehtë mbrohen interesat e kombit

Konjufca: Sa më afër që janë Kosova e Shqipëria, aq më lehtë mbrohen interesat e kombit

Në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se sa më afër që janë këto dy vende, aq më lehtë do të jetë të mbrohen interesat e kombit.

“Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë, mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjeprehtësinë e Arbën Xhaferit. Vazhdimisht duket t’i lexojmë ata, sepse mendimi i tyre politik është shumë i vlefshëm në rrethanat e reja të shekullit 21”, deklaroi Konjufca.

Sipas tij, 28 Nëntori i mban ëndrrat kolektive “por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë”.

“Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme, për të na mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara”.