Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë për t’u shqetësuar. Sipas tij, nuk ka nevojë të bëhet panik për këtë çështje.
Kryeparlamentari Konjufca ka thënë se vërejtjet e SHBA-së nuk kanë të bëjnë me legalitetin e veprimeve të Qeverisë dhe janë të mirëkuptueshme. Ai ka theksuar se këto janë gjithmonë kritika me vend sepse SHBA-të e shohin Kosovën nga një nivel shumë më të lartë.
“Unë mendoj që nuk janë raporte për t’u shqetësuar, për të bërë panik. Unë mendoj që raportet janë përtej këtyre ndryshimit në perceptim që e kemi se si të veprohet në pjesën e veriut të Kosovës. E mirëkuptojmë plotësisht atë vërejtje edhe kritikat qe na japin SHBA, këto janë gjithmonë kritika me vend sepse ne SHBA e shohin Kosovën nivel shumë më të lartë se sa që e shohim ne, e shohin në rajon, e shohin edhe në Evropë e shohin edhe në kontekstin e përgjithshëm global. Qysh e shohim ne, është e drejtë e shtetit të Kosovës të shtrijë sundimin e ligjit dhe sovranitetit në vend. Kjo është perspektivë më e ultë, më e ngushtë por është perspektivë e së drejtës së Kosovës.Qysh e shohim ne është e drejta e shtetit të Kosovës me shtri sundimin e ligjit dhe sovranitetin e vet, kjo është perspektivë më e ulët më e ngushtë por është perspektivë e të drejtës së Kosovës për me i krye punët e veta”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, amerikanët kanë ndrojtjen se Serbia mund të kundër reagojë, gjë që mund të dalë situata nga kontrolli.
“Unë mendoj që këto vështirësitë e Kosovës ndonjëherë me SHBA nuk janë risi, domethënë kemi pasur gjatë veprimtarisë sonë politike edhe disa sh’përputhje, gjithsesi se si e perceptojnë atë që është e domosdoshme për Kosovën që të ecet përpara pra në cilën drejtim të ecet përpara. Kjo që e ka marr pra qeveria e Kosovës strategjinë, është një strategji e sovranitetit të Kosovës, kurse SHBA këtë proces e shohin shumë më shumë prej perspektives së sigurisë, domethënë ata frikësohen se Serbia mund të kundër reagojë dhe kjo e qet situatën prej kontrollit, ky është perceptimi i SHBA-së kështu ka qenë gjithmonë”, ka theksuar Konjufca.