Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një konferencë për media ka komentuar situatën në Telekom pas paralajmërimin të Z-Mobile. Këtë Konjufca e ka quajtur kërcënim për t’i vazhduar kontratën për 10 vite tjera, derisa ka thënë se kompania Devolli ka kapur Qeverinë e Kosovës, Kuvendin, e qëndron mbi Institucionet e Drejtësisë.
Konjufa tha se Z-mobile duhet të ndalohet me ligj.
“Ajo që është fatkeqësi për shtetin tonë ka të bëjë me faktin se kjo kompani, tash e po e mësojmë edhe më mirë, pra kompania Devolli qëndron mbi Kuvendin e Kosovës, e ka kap Qeverinë e Kosovës dhe qëndron mbi insitucionet e drejtësië për arsye që prej 12 korrikut të vitit 2018 në Kuvend të Kosvës është në fuqi një rezolutë e cila është e votuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe e cila në pikën e 7 të saj thotë:
Qeveria e Kosovës si aksionari kryesor duhet të hiqet nga mosmarrëveshja abuzive e ish drejtorit të Telekomit me kompaninë Z Mobile. Kjo rezolutë e shpërfillur që disa muaj nga Qeveria e Kosovës dhe nuk po zbatohet”, thotë Konjufca.
Kjo sipas shefit të grupit parlamentar të VV-së, po bëhet që kontrata të i vazhdohet edhe për 10 vite të tjera.
“Arsyeja pse nuk po zbatohet edhe pse është miratuar nga shumica e deputetëve ka të bëjë me faktin se Qeveria e Kosovës është plotësisht e gatshme përmes ministrit Valdrin Lluka që t’ia vazhdojë kompanisë Z mobile kontratën me Telekomin e Kosovës që është një kontratë e dëmshme e bën që Telekomi e taksa paguesit të humbin me qindra miliona euro, kjo nuk po zbatohet se këta janë të gatshëm që edhe për 10 vite ta zgjasin këtë kontratë. E kërcënimi i kompanisë Devolli po bëhet pikërisht me këtë qëllim, pra si shantazh për vazhdimin e kontratës edhe për 10 vite të tjera. Pika 12 e kësaj rezolute thotë kështu:
Kuvendi i Kosovës e fton prokurorinë që të vendos me prioritet hetimin e kontratës.
“Prokuroria është vonuar qëllimisht dhe e ka toleruar vijimin e kësaj kontrate që Kosovës i shkakton dëm të dukshëm publik. Siç dihet kompania në fjalë është ankuar në Arbitrazh dhe e ka fituar anën e saj, ne konsiderojmë që krejt kjo që i ka ndodhur shtetit të Kosovës ka të bëjë në një bashkëpjesëmarrje në krim të organizuar mes kompanisë Devolli dhe bordit të Telekomit të Kosovës, ju e dini bordi i Telekomit është udhëhequr nga Rexhë Gjonbalaj, një nga drejtuesit kryesor të PDK-së, në Pejë.
Kjo është bashkëpjesëmarrje në krim me qëllim të 32 milionë euro që do t’i merren coftë PTK-së coftë taksa paguesve të Kosovës. Ne e dimë që Telekomi nuk mundet me i pagu këtë shumë, kjo për të është bankrotim”, shton tutje.
“Kjo nënkupton që 3 mijë punëtor të Telekomit iu rrezikohen puna e ata do të gjenden përballë fatit, do të jenë në mëshirë të fatit. Qeveria e Kosovës në një kompani shumë të fuqishme e ka organizuar krimin për bankrotim të Telekomit të Kosovës. Kjo tregon që ata i kanë kapur edhe institucionet e drejtësisë”, tha Konjufca para mediave.
Ata kanë bërë të ditur se mbështesin peticionin e sindikatës së PTK-së, duke thënë se VV do të aktivizohet edhe në Kuvend që të luftojë atë që e kanë quajtur krim të organizuar.
Konjufca tha se do të bëjnë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme duke shtuar se janë duke përgatitur edhe një ligj që e ka vetëm një pikë specifike që është ndalimi i operimit të operatorëve virtual mobil.