Fjalë Kyçe

Koronavirusi godet fort Amerikën, mjekët u japin përparësi të rinjve për respiratorë

Koronavirusi godet fort Amerikën, mjekët u japin përparësi të rinjve për respiratorë

Rron Lleshi, kirurg në New York, në emisionin “Desku” në KTV ka treguar situatën që është aktualisht në SHBA sa i përket pandemisë Covid-19. Ai thotë se momentalisht ka mungesë të ventilatorëve, derisa thekson se të rinjtë kanë përparësi për të marrë trajtim intensiv.

‘Jemi të gatshëm 24 orë për me na thirrë me shkuar kudo që ka nevojë. Në New York janë rreth 15 për qind kanë nevojë për hospitalizim, derisa 25 për qind kanë nevojë për ventilatorë. Në krejt New Yorkun kanë nevojë rreth 850 persona që kanë nevojë për ventilatorë derisa janë rreth 300 të tillë. Zakonisht pacientët më të rinj po zgjedhën, e kemi një doktor që i bën seleksionimet dhe ai vendos i fundit dhe zakonisht më të rinjtë që zgjedhën”, ka thënë Lleshi.

Ai tregon se procesi i ventilimit shkon nga 21-30 ditë.

“Për pacientët e tjerë provojmë me gjetë dhoma në spitalet e tjera për me provuar me gjetë ventilatorë, dhe nëse s’ka provojmë me gjetë, por fatkeqësia është se nuk ka ventilatorë mjaftueshëm. Pacientët kanë nevojë për ventilatorë 21 ditë, shanset për shpëtim pas ventilimit janë 20 për qind, e 80 për qind e pacientëve nuk kanë sukses. Procesi zgjat nga 21-30 ditë dhe po është problem me gjetë mjaft ventilatorë e shtretër për trajtim intensiv”, u shpreh Lleshi.

Lleshi shton se kushtet nuk janë shumë të mira për mjekët, por se “luftojmë deri në fund për të bërë punën tonë”.

Ai ka këshilluar që të ketë bashkëpunim sa më të madh ndërmjet mjekëve dhe qytetarëve. “Këshilla ime është për të bashkëpunuar të gjithë, edhe stafi mjekësor edhe qytetarët, pra bashkëpunimi është këtu për suksesin”, ka thënë Lleshi.

SHBA-ja është qendra botërore e epidemisë aktualisht me mbi 216 mijë të infektuar, derisa janë shënuar mbi 5100 viktima, kurse afër 9 mijë persona janë shëruar.