Fjalë Kyçe

Kosova afirmon aleancën me SHBA-në duke strehuar refugjatët afganë

Kosova afirmon aleancën me SHBA-në duke strehuar refugjatët afganë

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë shtetet e para europiane që kanë pranuar të strehojnë përkohësisht afganët të cilët më pas do të zhvendosen drejt SHBA-ve, teksa arratisen nga pushtimi taleban i vendit të tyre.

Pjesa më e madhe janë civilë që kanë bashkëpunuar me SHBA-të, apo misionet ndërkombëtare në Afganistan dhe po evakuohen drejt Europës deri në marrjen e vizave amerikane, shkruan POLITICO.

Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës thotë se është kontaktuar direkt nga presidenti Joe Biden muajin e kaluar me kërkesën për të strehuar përkohësisht refugjatët afganë.

“Pa asnjë hezitim, apo kushtëzim kam dhënë miratimin tim për këtë bashkëpunim humanitar ka thënë”- ka shkruar Osmani në “Facebook”, ku ka shtuar: “Askush nuk e di më mirë se ne çfarë do të thotë të përjashtohesh me forcë nga vendi ku je lindur, të ndahesh nga të dashurit e tu dhe të detyrohesh të braktisësh vendin për të shpëtuar jetën”.

Shqipëria ka qenë po ashtu mikpritëse

“Përgjatë ditëve të fundit SHBA-të i kanë kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si shtet tranzit për një numër emigrantësh politikë afganë, që do të kenë si destinacion final SHBA-të. Dhe padyshim që ne nuk do të themi jo, jo vetëm sepse na e kërkojnë aleatët tanë më të mëdhenj, por sepse ne jemi Shqipëria!”- ka shkruar kryeministri Rama në “Facebook”.

Konviktet e studentëve janë zbrazur në Shqipëri për të pritur afganët, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka lajmëruar se do të vendosë në dispozicion hotele dhe rezorte për t’i mikpritur. Kosova ka thënë se ka kapacitetin për të marrë 10 mijë njerëz. Refugjatët e parë mbërrijnë në Shqipëri ditën e mërkurë.

Tre nga shtetet më të varfëria në Europë dhe që të treja shpresojnë që t’i bashkohen eventualisht BE, ndonëse ka shumë pengesa që kjo aspiratë të realizohet. Kjo është një nga arsyet se përse këto vende po mbështeten së tepërmi në aleancën e tyre me Shtetet e Bashkuara.

“Këto tre vende janë ndër më pro-amerikanet në Europë dhe ndoshta në botë edhe përsa i përket ndjesive popullore dhe klasës politike, pavarësisht se cila administratë drejton punët në Washington. Ata do të bëjnë çdo gjë që të akomodojnë çfarëdolloj kërkese që SHBA-të mund të kenë”- ka thënë Toby Vogel, një analist në “Këshillin për Politika Demokratizuese” një “think-tank” në Berlin.

Ndonëse tre shtetet në argumentat për afganët nuk përmendën BE-në, Vogel thotë: “Kjo po ndodh në një moment që procesi i integrimit europian është i bllokuar për shkak të problemeve të brendshme në BE dhe askush nuk mund të parashikojë se kur do të zhbllokohet. Prandaj, ka një element balancimi drejt SHBA-ve kundër BE-së. Lidershipi i tre vendeve po shkon direkt tek burimi i fuqisë dhe stabilitetit në perëndim.”

SHBA-të kanë qenë ngushtësisht të lidhura me demokratizimin në të treja vendet

Në Kosovë, ata drejtuan fushatën e NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999 që rezultoi në tërheqjen serbe. Megjithatë, vendi po lufton për njohje ndërkombëtare dhe 5 shtete të BE nuk e njohin duke krijuar një pengesë të madhe për integrimin.

Në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, SHBA-të kanë qenë vendimtare në pranimin e të dy vendeve në NATO.

“Përgjatë 20 viteve të fundit SHBA-të kanë qenë ndihmë kritike për proceset demokratizuese në Shqipëri dhe për vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria i përgjigjet pozitivhst kërkesave të tilla nga SHBA-të”- ka thënë Gjergji Vurmo, i cili mbikëqyr programin e BE dhe Ballkanit për Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë.