Fjalë Kyçe

Kosova bëhet edhe me një bankë të re

Kosova bëhet edhe me një bankë të re

Kosova bëhet edhe me një bankë të re, e cila është miratuar sot e ajo quhet ‘Banka Credins Kosovë’.

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës sot miratoi kërkesën e “Banka Credins Kosovë” për licencim si bankë në vendin tonë.

Kërkesa për licencim nga “Banka Credins Kosovë” e dorëzuar në BQK është vlerësuar pozitivisht duke u bazuar në kërkesat e Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare dhe Rregullores për licencimin e bankave dhe degëve të bankave të huaja.

“Banka Credins Kosovë” ka paraparë të ofrojë në tregun bankar të vendit tonë një gamë të gjerë të shërbimeve bankare bashkëkohore me kushte konkurruese.

Themelues dhe aksionar i vetëm i saj është “Banka Credins Sh.A.” nga Shqipëria, e cila operon nga viti 2003 dhe është një prej bankave më të mëdha.

Gjatë periudhës së ardhshme konform legjislacionit në fuqi, subjekti “Banka Credins Kosovë” duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e përcaktuara ligjore për fillimin e operacioneve të saj.

Rrjedhimisht, me përcaktimin afirmativ të Bankës Qendrore rreth plotësimit të këtyre kushteve, subjekti “Banka Credins Kosovë” kualifikohet që potencialisht të marrë licencën për të operuar si bankë e re në vendin tonë, gjë për të cilën, opinioni publik do të informohet me kohë, thuhet në njoftimin e BQK-së.