Kosova ka fituar rastin ndaj kompanisë mikrofinanciare “IuteCredit” në arbitrazhin ndërkombëtar, ka njoftuar kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se kjo është fitore e radhës e cila vërteton ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve.
“Republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, ka thënë se kompania “IuteCredit” kishte paditur shtetin e Kosovës në arbitrazh me pretendimin që revokimi i licencës nga Banka Qendrore e Kosovës ishte arbitrar dhe i paligjshëm, pretendime këto që u hodhën poshtë në tërësi nga Tribunali i Arbitrazhit.
“Paneli i arbitrave vërtetoi që institucionet tona nuk kanë shkelur ndonjë nga obligimet e parapara sipas Ligjit për Investime të Huaja, duke konfirmuar ligjshmërinë e tyre”, ka shkruar mes tjerash kreu i ekzekutivit.
“Ministria e Drejtësisë, së bashku me Avokaturën Shtetërore, janë siguruar që Kosova të përfaqësohet dhe mbrohet denjësisht gjatë gjitha fazave të procedurës në arbitrazh, duke ia përkushtuar të gjitha resurset e nevojshme ekipit mbrojtës për ta bërë të mundur këtë rezultat”.
Si pasojë e kësaj, Ministria e Drejtësisë i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë euro.
“Gjatë këtij mandati qeverisës, kjo është fitorja e dytë e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, pas rastit Selmani në padinë ndaj shtetit me vlerë të pretenduar rreth 65 milionë euro”.
Në fund, Kurti ka falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, Avokaturën Shtetërore në kuadër të Ministrisë si dhe ekipin përfaqësues të Squire Patton Boggs, për fitoren e Republikës së Kosovës.