Këtë vit, kosovarët kanë importuar më shumë mjete piroteknike se vitin e kaluar. 100 mijë kilogram, në vlerë prej rreth 300 mijë eurove, janë importuar dhe pritet të importohet ende lëndë të tilla. Ndërsa, në disa komuna, është ndaluar përdorimi i tyre.
Muaji dhjetor apo periudha e vitit kur njihet për përdorimin e mjeteve piroteknike, Kosovën e ka gjetur me hiç më pak se 100 mijë kilogram të importuara vetëm deri më tani. Ndonëse viteve të fundit konsiderohet rënie e importit për këto mjete, këtë vit kemi ngritje të importit për mjetet piroteknike, bën të ditur zëdhënësi i Doganës Adriatik Stavileci.
“Vitin e kaluar kemi pasur rreth 50 mijë kilogram eksport, këtë vit kemi pasur rreth 100 mijë kilogram importe të mjeteve piroteknike. Zakonisht importet më të larta ndodhin në prag të këtyre festave. Mund të themi se trendi është i njëjtë i viteve të fundit”, deklaroi Adriatik Stavileci.
Ministria e Tregtisë, përmes një urdhërese, ka ndaluar që këto mjete, tu shiten edhe personave nën moshën 18 vjeçare.
“Me këtë urdhëresë kam obliguar Inspektoratin e Tregut dhe inspektorët kompetent për siguri publike që t’i kontrollojnë operatorët ekonomik, me këtë rast t’i verifikojnë nëse janë të licencuar dhe plotësojnë kriteret për tregti dhe furnizim me produkte piroteknike”, thuhet në një njoftim të ministrit, Endrit Shala.
Përderisa ministri kërkon që të bëhet kontrollimi i produkteve piroteknike, disa komuna e kanë ndaluar tërësisht, përdorimin e tyre.
Në shkresën që ka lëshuar komuna e Prizrenit, thuhet se ata të cilët veprojnë në kundërshtim me këtë ndalesë do të përballen me masa ndëshkuese në përputhje me dispozitat e ligjit në fuqi. Në kryeqytet, gjobat për përdorimin e tyre, mund të shkojnë deri në 100 euro.
Komunat e tjera që e kanë ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike, janë Ferizaji dhe Suhareka.
Vlera e mjeteve piroteknike deri më tani ka kapur shifrën rreth 300 mijë euro.