Kosova renditet e parafundit në rajon sa i përket numrit të bankomatëve në raport me 100 mijë banorë të rritur. Prapa qëndron vetëm Shqipëria.
Në bazë të Bankës Qendrore të Kosovës, në Kosovë janë 35.3 bankomatë për çdo 100 mijë banorë të rritur. Më së miri në këtë aspekt qëndrojnë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Në Kosovë janë gjithsej 507 ATM në tërë vendin, njofton Klan Kosova.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Bankave, Petrit Balija, regjioni i ka shpërndarë makinat ATM nëpër territor, kurse në Kosovë më shumë në kryeqytet, për shkak të frekuentimit.
“Koncentrim më të madh në Prishtinë, dhe rrjedhimisht deri 40% të bankomatëve janë të koncentruar në zonën e Prishtinës, sepse edhe aktiviteti ekonomik dhe jeta po graviton drejt Prishtinës”, thotë ai.
Edhe qytetarët pajtohen se nuk ka mjaftë bankomatë.
Bankat megjithatë kanë në plan tjera shërbime. Madje po i pakësojnë edhe degët. Nga 310 sa ishin më 2012, tash janë 197.
“Kur shërbimet kalojnë në shërbime digjitale, atëherë edhe nevoja për shërbime fizike bie dukshëm, dhe si rezultat nuk ka nevojë për degë”, shton Balija.
Kalimin nga shërbimet fizike në atë digjitale e mbështet edhe BQK.
“Është një presion, një shtytje, me u ulë numri i degëve ta zëmë, ose edhe i ATM-ve, në mënyrë që të kalohet në shërbime digjitale me kosto më të ulët”, shpjegon Dardan Fusha, drejtor i Departamentit të Sistemit të Pagesave me Vlerë të Vogël.
Megjithatë, Fusha thotë se në Kosovë ende përdorimi i CASH-it është i madh.
Por me Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël synohet që deri në vitin 2026, të realizohen nga 25 pagesa digjitale për kokë banori, që i bie mbi 42 milionë pagesa jo CASH.