Kompania kosovare Balkan Natural Adventure është pjesë e Panairit prestigjioz të Turizmit, e përkrahur nga e përditshmja londineze ‘The Times, Destinations’, nga data 31 janar deri më 3 shkurt, në sallën Olympia.
Panairi Destinations mbledh disa nga kompanitë më prestigjioze të udhëtimit në botë dhe mbahet në Manchester dhe në Londër.
Balkan Natural Adventure është kompania e vetme nga Kosova dhe atje paraqitet me top produktet e veta te ecjes në Bjeshkët e Nemuna dhe ato të Sharrit.
Paraqitja e kompanisë është organizuar nga vetë stafi i cili ka përgatitur materialet dhe ka siguruar hapësirën e prezantimit, duke e bërë kështu BN Adventure kompaninë e parë kosovare të turizmit që paraqitet si e vetme në një panair prestigjioz, si Destinations.
Ambasada e Kosovës në Londër ka ndihmuar me logjistikë dhe materiale shtesë për një paraqitje më të denjë të kompanisë dhe vetë Kosovës në këtë panair.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të paraqitemi para publikut londinez, që përbën pjesën më të madhe të mysafirëve tonë dhe shpresojmë se ky panair do të rrisë numrin e turistëve britanikë në Kosovë”, ka thënë Nol Krasniqi, pronar i kompanisë. “Punën tonë e kanë mbuluar gazeta britanike si ‘The Financial Times’, ‘The Guardian’, ‘The Week’ si dhe shumë publikime të tjera të specializuara në turizëm. Ky panair do të forcojë pozitën tonë në këtë treg”, ka thënë Krasniqi.
Ai gjithashtu ka falënderuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe veçanërisht atashetë për ekonomi në Ambasadën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Elmaze Pireva, për ndihmën në logjistikë. “Për ne Ambasada ka qenë një adresë ku kemi pasur vetëm përgjigje pozitive në kërkesat tona për përkrahje logjistike. Janë të mrekullueshëm”, ka theksuar Krasniqi.