Fjalë Kyçe

Kosova së shpejti bëhet me ambasadë në Kolumbi

Kosova së shpejti bëhet me ambasadë në Kolumbi

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Kolumbi, ku në takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas, ka diskutuar për hapjen e ambasadës së Kosovës në këtë shtet.

“Gjatë takimit, zëvendësministrat bënë një analizë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbyen pikëpamje për tranzicionin energjetik dhe ndryshimet klimatike, vizionet për sigurinë njerëzore, shkëmbimet akademike dhe kulturore, bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, si dhe për bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave në angazhimin e diasporës. Pikë kryesore e takimit ishte hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi”, thuhet në një njoftim të Ministrisë në Facebook.

Në njoftim thuhet se kjo vizitë ka rëndësi të veçantë, pasi është vizita e parë zyrtare dhe po zhvillohet në prag të hapjes së Ambasadës së Kosovës në Bogota. “Hapja e Ambasadës tregon për angazhimin e Kosovës në këtë hemisferë të botës dhe nevojën për një prani më të madhe jo vetëm në Kolumbi, por edhe në gjithë Amerikën Latine. Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat”, thuhet në njoftim.