Fjalë Kyçe

KOSTT: Nga sot rryma në veri paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të vendit

KOSTT: Nga sot rryma në veri paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të vendit

Kryeshefi i operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), Evetar Zeqiri, ka njoftuar se nga sot, 1 janar, furnizuesi Elektrosever ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri.

Ai ka thënë se ky është një sukses në sektorin e energjisë, përveç liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së papenguar me targa të Republikës së Kosovës.

Zeqiri ka thënë se pas më shumë se 20 vjetëve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit.

“Me 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01’, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, -kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës -ka filluar të nominoj energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 viteve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, ka shkruar ai në Facebook.

Zeqiri këtij postimi i ka shtuar dy fotografi, ku tregohet periudha rreth 1 orë para ndërrimit të motmoteve dhe një tjetër disa minuta pas fillimit të nominimit, ku sipas tij, vërehen ndryshimet.

“Fotografia e parë (në të majtë) tregon periudhën rreth 1 orë para orës 12:00h, para fillimit të nominimit. Ndërsa fotografia e dytë (në të djathtë) tregon kohën diku rreth 6 minuta pas fillimit të nominimit. Vërehet menjëherë një nivel i devijimeve të pa qëllimshme dukshëm më i ulët, pra afër zero”, ka thënë ai.

Për këtë ka reaguar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se Elektroseveri ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat në veri, që nënkupton se nga 1 janari pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it.

“Elektroseveri ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat në veri, që nënkupton se nga sot pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it. Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. 3 procese kanë filluar nga sot, procese të tjera do t’i ndërmarrim e zhvillojmë përgjatë vitit, gjithmonë në shërbim të interesave të të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.