Fjalë Kyçe

“Kotorri dhe shqiptarët” nxjerr në det historinë e panjohur të arbërve

“Kotorri dhe shqiptarët” nxjerr në det historinë e panjohur të arbërve

Monografia “Kotorri dhe shqiptarët”
Me monografinë “Kotorri dhe shqiptarët” me nëntitull “Ndërlidhja adriatikase e harruar”, Ylber Hysa bashkon të dhënat për familje arbërore që kishin rol të madh në jetën e kësaj qendre të rëndësishme. Nuk bëhej fjalë veç për detarë të zotë, por për njerëz kontributi i të cilëve prej ekonomisë, prekte kulturën, jetën fetare e deri te studiuesit

Kur flitet për historinë e shqiptarëve, rëndom ajo lidhet me malin. Por libri i Ylber Hysës dëshmon një anë tjetër. Sjell fakte se deti kishte peshë të madhe në jetën e arbërve, e për ta shtjelluar atë, hap arkivat që lidhen me Kotorrin, sot në Mal të Zi. Një përurim jo fort i rëndomtë, bashkëbisedim me historianin e shquar zviceran Oliver Schmitt, ka sjellë detaje nga libri që ndër të tjera “lundron” në Arbërinë veneciane, në Kotorr sjell edhe të dhëna për fisnikët shqiptarë, ndalet edhe në Ulqin për të vazhduar në Venedik
Janë një varg arsyesh për të cilat historia detare e shqiptarëve nuk është zbardhur sa duhet.

Pretendimet e sllavëve të jugut e historia e shkruar nën tutelën enveriste janë midis tyre. Duke pasur në qendër Kotorrin si port tejet të rëndësishëm mesjetar, historiani Ylber Hysa zgjat fijet e historisë detare të shqiptarëve edhe në pjesë të tjera të Adriatikut. Nëpërmjet librit “Kotorri dhe shqiptarët” me nëntitull “Ndërlidhja adriatikase e harruar”, Hysa zbardh Arbërinë veneciane së cilës i përkiste edhe Kotorri. Monografia bashkon të dhënat për familje arbërore që kishin rol të madh në jetën e kësaj qendre të rëndësishme. Nuk bëhej fjalë veç për detarë të zotë, por për njerëz kontributi i të cilëve prej ekonomisë, prekte kulturën, jetën fetare e deri te studiuesit.

Promovimi i librit të mërkurën mbrëma është bërë nëpërmjet një bashkëbisedimi me profesorin e Universitetit të Vjenës, njëherësh anëtarin e Akademisë së Shkencave të Austrisë, Oliver Schmitt. Ai është recensent i librit.

Schmitt e ka nisur bisedën me një pyetje siç ka thënë ai atipike për historianët: Përse Kotorri, për çfarë motivesh?

Hysa i cili ka shërbyer edhe si ambasador i Kosovës në Mal të Zi ka treguar se Kotorri është pjesë e një projekti të tij afatgjatë për shqiptarët dhe të tjerët, dhe është një përpjekje për të kaluar një klishe dhe një stereotip që kryesisht e kanë ndërtuar fqinjët për shqiptarët. Sipas Hysës shumë pak dihet që ka pasur një ndërlidhje midis Bokës së Kotorrit dhe shqiptarëve.

“Lidhja gjeografike midis Kotorrit dhe shqiptarëve është realizuar në shumë segmente. Në segmentin ushtarak aty afër është edhe sot ishulli që quhet Stradioti. Stradiotët ishin një formacion i njohur i kalorësisë së lehtë që ka përdorur Venediku dhe pothuajse mbi 80 për qind të tyre janë shqiptarë”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se është një njeri që duket kontrovers nga perspektiva e sotshme derisa ka përmendur Vojvodë Mazrekun si guvernator të Zetës në kohën e despotit Stefan Llazareviq e i cili si shqiptar luftoi kundër venedikaseve.

Më pas ka përmendur personalitetet si Frang Dukagjinin për të cilin ka thënë se si komandant venedikas vdes në përpjekje për ta marrë Herceg Novin nga otomanët.

“Pas një shekulli e diçka janë sejmenët shqiptarë që mbrojnë Herceg Novin”, ka thënë Hysa. Derisa ka folur për librin e tij, në bashkëbisedimin e rrallë që zhvillohet në promovime librash historie, Hysa ka thënë se janë dimensione të tjera që prekin tregtinë kur bëhet fjalë për shqiptarët dhe Kotorrin. Sipas tij asokohe Shqipëria ka qenë shumë më e gjallë e me më shumë limane se që ka sot.

“Shqipëria shihet si një hapësirë e jashtëzakonshme për ekonominë. Ndonëse duket si një territor që shfrytëzohet nga të tjerët, ka edhe përzierje të kapitalit midis kotorrasve dhe një durrsaku për shembull që kishte edhe patundshmëri në Kotorr”, ka thënë ai. Sipas Hysës, një pjesë e rëndësishme e kësaj ndërlidhjeje është kur më në fund Perandoria Osmane pushtoi Shkodrën e më vonë Ulqinin dhe Tivarin. Në këtë rast ka treguar se flet për periudhën pas vitit 1571 dhe kohën kur u bë një lloj dyndjeje e madhe e faktorit shqiptar që graviton Kotorrin dhe janë një numër i madh klerikësh shqiptarë që kanë pasur goxha rol.

Studimi i Hysës hyn në thellësitë që kishte Arbëria veriore në Adriatik e po ashtu edhe në anën tjetër, në pjesën malore
“Kur flasim për klerikët është një moment kyç. Në këtë aspekt është përurimi i Katedrales së Kotorrit në vitin 1166 që edhe sot është pjesa e paevitueshme e imazhit të Kotorrit. Dy nga tri absidat shenjtërohen nga dy peshkopë shqiptarë. Kjo ndodh në kohën kur Kotorri është pjesë e Bizantit”, ka thënë ai derisa ka folur për librin voluminoz të botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Hysa ka treguar se shpesh harrohet që në këtë ndarje territoriale një pjesë e mirë e Dalmacisë, pjesë e bregdetit malazez më vonë e merr emërtimin Shqipëria Venedikase.

“Ka pasur tendenca nga historianë sllavë të jugut që këtë ta quajnë rastësi. Por kjo nuk është fare rastësi dhe unë jam munduar ta trajtoj këtë në vepër për të shpjeguar në fakt se bëhet fjalë për një tendencë venedikase për ta legjitimuar veten si trashëgimtar të botës romano-bizantine”, ka thënë Hysa.

Oliver Svhmitt recensionin e tij për librin e nis me fjalinë: “Historia shqiptare është edhe histori detare”. Në promovim ka thënë se bëhet fjalë për dimensionin detar ose bregdetar të historisë shqiptare.

“Si mund të pozicionohet ky libër edhe në traditën e historiografisë shqiptare e përtej. Do të thotë edhe në traditën e historiografisë adriatike? Ku e sheh pozitën e librit tënd?”, ka pyetur ai Hysën.

Hysa fillimisht ka përmendur dy familje aristokrate që kanë lënë shumë gjurmë në Bokën e Kotorrit dhe në Venedik, Bronza dhe Balloviq të cilët me disa gjenerata ishin kapitenë anijesh venedikase. Në këtë rast ka shkuar më në detaje.

“Shpesh kanë lënë edhe gjurmë të shkruara, detaje, edhe detajet të luftërave me piratët. Madje sidomos me piratët ulqinakë. Ulqini është pandani i Perastit”, ka thënë Hysa. Ka sqaruar se Perasti shquhet si jashtëzakonisht luftarak me njerëz që kanë qenë të shquar në marinën e Venedikut, kurse në anën tjetër Ulqini mbeti otoman i cili e krijoi piraterinë si pjesë të tij identitare. Në këtë rast ka shtuar se madje edhe në kohën kur Porta merrej vesh me të tjerët që të ndalnin piraterinë, ulqinakët e vazhdonin dhe shpesh penalizoheshin.

“Balloviq e Bronza janë dinasti detarësh. Një tjetër dinasti shumë interesante në Bokë të Kotororrit janë Vuloviq Arbanasoviq që deri vonë e kanë ruajtur emrin Arbanasoviq. Këta janë së paku katër gjenerata me 55 oficerë të ndryshëm që kanë lundruar deri në Japoni dhe kanë lënë gjurmë”, ka thënë Hysa derisa ka folur për diasporat e hershme arbërore.

Kotorrit i ka dhënë rëndësi të madhe edhe sa i përket komunikimit. Ka thënë se Venediku deri në Stamboll e ka mbajtur postën nëpërmjet Kotorrit. Derisa ka sqaruar ndikimin e faktorit arbëror në Kotorr ka marrë edhe shembuj.

“Edhe siguracionet e anijeve kanë qenë një prej elementeve. Siguracionet e anijeve i ka mbajtur familja fisnike me origjinë shqiptare Zaguri e cila ka qenë e vendosur në Kotorr por pas vitit 1500 e ka marrë titullin e fisnikërisë edhe në Venedik dhe atje ka lënë gjurmë të shumta në arkitekturë. Ata e kanë pasur si biznes familjar çështjen e siguracionit të anijeve. Pra kur flasim për detari, nuk flasim vetëm për marinarë por për një spektër më të gjerë”, ka thënë ai.

Për Schmittin ideja se Shqipëria është kryesisht një vend malor është edhe një prodhim i historiografisë enveriste e cila e përshkruante Shqipërinë si një vend malor dhe në perspektivë detare, është më e kufizuar.

“Çfarë quhet një hapje e tillë ndaj detit për riinterpretim të historisë së shqiptarëve dhe ndoshta për identitetin e shqiptarëve të sotëm?”, e ka pyetur Schmitti autorin e librit.

Hysa ka thënë se mendon që është një stereotip i etabluar i sllavëve të jugut që thotë: “Ajo që për sllavët është lugina, për grekët është deti e për shqiptarët është mali”. “Është stereotipizuar ajo se shqiptari është malësor ndoshta për faktin se në periudha të ndryshme, sidomos në Mesjetë të hershme realisht mali është azili që i ruan shqiptarët sepse bregdeti kurrë nuk mund t’i takonte vendësve”, ka thënë ai. Këtë e ka elaboruar duke shtuar se Durrësi ishte një lloj Panamaje, një lloj i Suezit.

“Do të thotë e ka luajtur atë rol në histori, e ka luajtur Via Egnatian. Ka qenë prej qyteteve më të mëdha së bashku me Selanikun dhe gjithmonë i takuar një perandorie. Me ardhjen e Perandorisë Osmane për herë të parë Adriatikun e kemi në dysh. Me Perandorinë Osmane nga Ulqini e poshtë e kemi një situatë tjetër. Kjo ka qenë edhe çështje gjeografike pasi pjesa adriatike e Shqipërisë edhe sot është me moçale dhe nuk është e qasshme siç është për shembull bregdeti dalmatin që më shumë i ngjan pjesës italiane”, ka thënë Hysa.

Por sipas tij ka pasur shumë limane dhe kanë qenë disa porte në Bunë. Sipas tij, në Mesjetë deti shqiptar ishte shumë më i hapur sesa sot.

“Shumë më shumë seç mund të quhet Shqipëria sot që është detare”, ka thënë ai. Libri i Hysës përthekon historinë e Kotorrit prej përurimit të Katedrales më 1166 deri në fund të Kotorrit venecian më 1797. Studimi i Hysës hyn në thellësitë që kishte Arbëria veriore në Adriatik e po ashtu edhe në anën tjetër, në pjesën malore.