Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur joetik çdo diskutim tash për postin e presidentit, duke e pas një president që ka mandat edhe për 7 muaj.
Pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehu përkrahjen që kryetari i saj, Ramush Haradinaj të kandidohet për president të vendit, Krasniqi ka thënë se ky është kalkulim që të shmangen zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.
“Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre. Çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pas Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, thënë më së buti. Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se PDK-ja kërkon nga koalicioni qeverisës “që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s’kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë”.
“PDK ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar”, ka shtuar ai.