Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar në lidhje me mos prezencën e deputetëve të shumicën në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të diskutohej për librat shkollorë.Krasniqi ka pyetur deputetët e pozitës, edhe pse jo të pranishëm në sallë, se prej kujt po ikin.“Prej kujt po ikni? Prej Albin Kurtit e teposhtë, prej kujt po ikni, nuk jeni tu ikë prej neve, po ikni prej qytetarëve, prindërve e fëmijëve e mësimdhënësve, turp ju qoftë”- ka deklaruar Krasniqi.Krasniqi ka thënë se sot do të duhej të diskutonin për reformën në arsim në një situatë normale, dhe se sipas tij “për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, kjo qeveri i ka lënë nxënësit pa libra shkollor”.“Sot do të duhet të diskutonim për reformën në arsim në një situatë normale, për mundësitë e reja që ka kriju kjo qeveri për nxënësit tonë por ne si opozitë e kemi thirrë këtë seancë pikërisht për të folë për diçka që askush se ka paramenduar se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, kjo qeveri i ka lënë nxënësat pa libra shkollor”- tha ai.Kreu i PDK-së, ka thënë se dy vite qeveri, fillimin e vitit shkollor sipas tij, e kanë filluar me kriza.“Kjo është e turpshme, por më shumë është edhe shkelje e ligjit, këta njerëz e veçanërisht ministrja ka përgjegjësi penale. E kanë trefishu koston e librave duke u thirrë në kursime, në vend se me ju kushtu 4 milionë, sot po i shpenzojnë 12 milionë. Dy vite qeveri, dy fillimvite shkollor këta i nisin me kriza”- shtoi ai.
Krasniqi ka thënë se sot është dashur që 100 pyetje të bëhen në seancë por që siç u shpreh ai, nuk do të merrnin përgjigje.“A mundet me na tregu kjo ministre dhe kjo qeveri çfarë plani ka me i kompensu humbjen e madhe të orëve që e kanë shkaktu tashmë. A munden me na tregu qysh kanë me trajtu pabarazinë fundamentale që po e krijojnë për herë të parë, duke i bërë disa nxënës me libra e disa pa? Sa kanë apliku në E-Kosova? 100 pyetje është dashtë me i bo në këtë seancë, unë e di që asnjë përgjigje nuk e kishim marrë nga këta njerëz të pa përgjegjshëm”- tha Krasniqi.Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë sot në seancën e thirrur nga opozita për të diskutuar lidhur me librat shkollor.Grupi paralamentar i LVV-së ka paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media nga ora 13:00.Në anën tjetër, procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta.Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.Për të përfituar subvencionimi, prindërit duhet të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.