Tre netët e fundit para shpalljes së pavarësisë, presidenti i asaj kohe, Fatmir Sejdiu, kishte pritur thuajse mëngjesin në zyrë, duke nënshkruar dokumente si kërkesa për njohje që do t’u adresoheshin vendeve të botës.
Krahas kësaj, diskutimet e brendshme ishin të mëdha, se kush do të ishte njeriu i cili do ta lexonte deklaratën e shpalljes së pavarësisë.
Kryetarit të Kuvendit atëkohë, Jakup Krasniqi, ndërkombëtarët i kishin kërkuar që njeriu që do ta lexonte deklaratën të ishte kryeministri, Hashim Thaçi.
Por, Kransiqi, që thotë se ka pasur pak rëndësi se kush e lexoi deklaratën, e konsideron veten si njeriu që shpalli pavarësinë, raporton KTV.
“Pasi është votuar deklarata, unë kam dalë në foltore, dhe kam dhënë rezultatin e votimit. Dhe, si akt i shpalljes së Pavarësisë, do të duhej të merrej ai moment, pas votimit të deklaratës. Dhe jo leximi i deklaratës”, tha Krasniqi.