Janë mbajtur të fshehura shpenzimet që gjatë 2018-s i kanë bërë bartësit kryesorë të institucioneve: presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Presidenca, ndërkaq, është e vetmja nga këto tri institucione që ka ofruar qasje në shpenzime të përmbledhura.
Më 11 shkurt, në Presidencë, në Kuvend e në Qeveri “Koha Ditore” ka adresuar kërkesë për qasje në shpenzimet që gjatë 2018-s i kanë bërë titullarët e këtyre institucioneve, por edhe secili prej anëtarëve të kabineteve të tyre.
Të hënën kanë skaduar të gjitha afatet që i precizon Ligji për qasje në dokumente publike, në lidhje me ofrimin e përgjigjeve.
Neni 7 i ligjit saktëson se institucioni publik obligohet që brenda 7 ditëve prej kohës së regjistrimit të kërkesës, të nxjerrë vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të japë përgjigje me shkrim për të arsyetuar refuzimin e plotë apo të pjesshëm, ndërsa neni 8 e parasheh rrethanën kur mund të vazhdohen më së shumti deri në 15 ditë kohëzgjatja e ofrimit të përgjigjes.
Brenda kësaj kohe institucioni më i lartë i shtetit ka ofruar një raport që tregon shpenzimet komulative për të gjithë Presidencën, ndërkaq Kuvendi ka përdorur një justifikim për fshehjen e harxhimeve, kurse Qeveria ka ofruar përgjigje negative, pa dhënë ndonjë arsyetim.
Mbështetur në përgjigjen e Presidencës, në vitin e shkuar ky institucion ka tejkaluar shpenzimet e planifikuara për udhëtime jashtë vendit. Të planifikuara ishin saktësisht 700 mijë euro, ndërsa limiti është tejkaluar, meqë janë bërë shpenzime në shkallë 104.44 për qind.