Fjalë Kyçe

Kriza e mbeturinave; Në Romë shumë shkolla rrezikojnë që të mbyllen

Kriza e mbeturinave; Në Romë shumë shkolla rrezikojnë që të mbyllen

Roma po përballet me një krizë plehrash që mund të bëjë që shumë shkolla të mbeten të mbyllura edhe pas përfundimit të pushimeve të fundvitit, të hënën.

Kryeqyteti italian, prej kohësh ka probleme me mbeturinat, por një zjarr që ka shkatërruar inceneratorin kryesor të qytetit, e ka përshkallëzuar krizën dhe banorët e zemëruar kanë filluar ta rëndojnë problemin duke djegur plehrat në shenjë proteste për mungesën e veprimit nga ana e autoriteteve.

Presidenti i shoqatës së drejtorëve të shkollave në romë i ka shkruar një letër kryebashkiakes Virxhinia Raxhi, ku paralajmëron se shumë shkolla nuk do të mund të hapen të hënën për shkak të situatës së krijuar.

Ditët e fundit, për shkak edhe të festave, Roma po përjeton një emergjencë të vërtetë sanitare. Koshat e mbeturinave janë të tejmbushur, nëpër rrugë shihen ngado thasë me mbeturina, minjtë tani enden jo vetëm nëpër trotuarë, por kanë hyrë edhe nëpër shkolla, nëpër klasat e boshatisura për shkak të pushimeve të dimrit.

Shoqata e drejtorëve të shkollave, kërkon pastrimin e trotuareve përreth shkollave, përndryshe fëmijët nuk do të mund të hyjnë në klasa.