Udhëheqësit ushtarakë të Sudanit kanë njoftuar për arritjen e një marrëveshjeje me aleancën e opozitës për një periudhë tranzicioni tre-vjeçar të pushtetit.
Këshilli Ushtarak Kalimtar tha se në bazë të marrëveshjes aleanca e opozitës do të ketë dy të tretat e vendeve në një Këshill legjislativ.
Sudani është qeverisur nga Këshilli Ushtarak që nga rrëzimi nga pushteti dhe arrestimi i presidentit, Omar al-Bashir.
Protestat që çuan në rrëzimin e tij kanë vazhduar me kërkesën për qeverisje të plotë civile.
Disa orë përpara se të bëhet njoftimi për marrëveshjen e fundit, të paktën pesë protestues dhe një anëtar i forcave të sigurisë vdiqën në përleshjet që ndodhën në kryeqytetin Kartum.
Këshilli Ushtarak fajësoi për dhunën grupet e protestuesve të pakënaqur me marrëveshjen e tranzicionit.