Fjalë Kyçe

Kroacia do t’i kërkojë Serbisë kompensim për dëmet e luftës

Kroacia do t’i kërkojë Serbisë kompensim për dëmet e luftës

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se qeveria që drejton nuk e ka lënë anash çështjen e kompensimit të dëmeve të luftës nga Serbia.

Ai, teksa u përgjigj sot në pyetjet e deputetëve kroatë, tha se për këtë çështje po punohet.

Deputetët i kërkuan që të shfrytëzohet rasti tash, kur Tribunali i Hagës ka dënuar Jovica Stanishiqin dhe Franko Simatoviqin për krimet e kryera në Kroaci.

“Ne po ndjekim vendimet e Tribunalit të Hagës dhe po i analizojmë ato. Sa i përket temës së dëmeve të luftës dhe padive, ne e kemi ngritur atë në nivelin dypalësh. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Drejtësisë po punon për këtë temë dhe ne nuk e kemi harruar atë. Ne do të përpiqemi të sigurojmë që drejtësia të realizohet dhe se e vërteta për luftën atdhetare në Kroaci, edhe ndërkombëtarisht, të mos vihet në dyshim askund”, tha Plenkoviq.

Kroacia shpalli pavarësinë me 1991, kur edhe nisi lufta për mbrojtje të territorit. Fundi i luftës ishte në verën e vitit 1995, kur Kroacia çliroi pjesën e fundit të tokës nga forcat serbe.