Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u është përgjigjur deklarimeve të sekretarit të NATO-së, Jens Stoltenberg, rreth Ushtrisë së Kosovës dhe asaj se a do të ketë të drejtë që ushtria të shtrijë veprimin në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në Samitin e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, sot është diskutuar për FSK-në.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë të martës ka bërë të ditur se disa aleatë në NATO janë të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë për taksën.
Madje Stoltenberg, në samitin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, ka kërkuar respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, ku sipas tij, forcat e sigurisë vendore nuk mund të hyjnë në veri pa lejen e Komandantit të KFOR-it.
Lidhur me këto deklarata të Stoltenberg, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se në vend nuk ka veri dhe jug, por është Kosova në tërësi.
“Ne i kemi ofruar NATO-s një protokoll të ri, më nuk ka veri e jug, është një Kosovë, duhet ta kuptojmë të gjithë, edhe presidenti edhe unë edhe të gjithë. Nuk ka më specifike a është veri a jug, Kosova nuk është e interesuar me krijuar doktrinë me qit ushtrinë kundër popullit të saj”, tha ai.
Këto komente, kreu i ekzekutivit i bëri në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.